Shtohen rastet me viroza, në Kukës mbi 100 vizita në ditë në shërbimin e urgjencës për të rritur

Shëndet | 1 minutë më parë

Sezoni i vjeshtës ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të personave që kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Kukësit. Mjeku Besnik Lleshi bën të ditur se aktualisht paraqiten mbi 100 pacientë në ditë.

“Shumë e ngarkuar. Kryhen afërsisht rreth 100 vizitat e të rriturit. Nuk bëj fjalë për numrin e vizitave pediatrike”, deklaroi mjeku.

Pacientët thonë se  marrin shërbimin në kohë, ndërsa pjesa më e madhe e personave që paraqiten për ndihmë janë të moshuar.

Mjeku u bën apel qytetarëve që, pavarësisht ngarkesës në spital, të drejtohen fillimisht te mjeku i familjes, i cili mund të vlerësojë gjendjen dhe nevojën për trajtim të mëtejshëm.

Një tjetër këshillë, veçanërisht për personat e moshës së tretë, është shmangia e ambienteve publike dhe të mbipopulluara, për të ulur rrezikun e infektimit.

“Duhet të orientohen të gjithë pacientët tek mjeku i familjes se po e anashkalojnë”, shtoi mjeku.

Vjeshta dhe dimri përbëjnë periudhën më të ngarkuar për spitalin, për shkak të shtimit të virozave sezonale dhe rritjes së kërkesës për shërbime mjekësore.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme