Samuel Umtiti ka komentuar periudhën e vështirë që po kalon Vinicius Junior, duke shprehur keqardhje për sulmuesin brazilian, i cili sipas tij është larg formës që e kishte bërë një nga lojtarët më vendimtarë në botë.
Futbollisti i Real Madridit po përballet me kritika për paraqitjet e fundit, pasi nuk po arrin të ndikojë në ndeshje në të njëjtën mënyrë si më parë.
Të lidhura
None found
Duke folur për radion RMC, ish-mbrojtësi i Barcelonës vuri në dukje rënien e nivelit të 25-vjeçarit dhe vështirësitë që ai po has në momentet kyçe.
“Më vjen keq për të! Ai nuk ka qenë në nivelin e tij më të mirë prej muajsh. Po has vështirësi në momentet vendimtare dhe po shpërdoron shumë raste. Ai nuk përbën më atë kërcënim të frikshëm që përbënte dikur”, deklaroi Umtiti.
Ish-reprezentuesi francez sugjeroi se një faktor që mund të ketë ndikuar te kjo rënie është zhgënjimi i Viniciusit pas humbjes së garës për Topin e Artë 2024.
Braziliani konsiderohej një prej kandidatëve kryesorë për çmimin prestigjioz, por në fund trofeu iu dha mesfushorit të Manchester Cityt, Rodri.
Umtiti mendon se kjo humbje mund të ketë ndikuar psikologjikisht te lojtari i Real Madridit dhe t’i ketë zbehur shkëlqimin që e karakterizonte më parë.
“Ai është ndikuar shumë që kur nuk e fitoi Topin e Artë. Është e vështirë ta rikthejë atë shkëndijë që Vinicius kishte dikur”, shtoi ish-mbrojtësi i Barcelonës.
Sipas Umtitit, Vinicius nuk i ka më në të njëjtin nivel disa prej cilësive që dikur i bënin kundërshtarët të ndiheshin të frikësuar sa herë përballeshin me të në fushë.






