Shkon në dy numri i viktimave nga shpërthimi i fuqishëm i ndodhur në një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan. Ngjarja tragjike u mori jetën Hamit Ibros, 69 vjeç, dhe Hatixhe Berishës, 82 vjeçe, ndërsa dhjetë banorë të tjerë mbetën të lënduar.
Pas disa orësh kërkimesh intensive mes rrënojave, ekipet e shpëtimit arritën të gjenin rreth orës 00:40 trupin e pajetë të 69-vjeçarit, në banesën ku dyshohet se ndodhi fillimisht shpërthimi. Ndërkohë, 82-vjeçarja kishte humbur jetën që në momentet e para të ngjarjes.
Shpërthimi, i cili u pasua nga një zjarr i fuqishëm, shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë dhe krijoi panik mes banorëve të pallatit.
Sipas Policisë së Elbasanit, dhjetë personat e lënduar morën ndihmën e nevojshme mjekësore në spital dhe më pas u larguan drejt banesave të tyre, pasi gjendja shëndetësore nuk kërkonte shtrim të mëtejshëm.
Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshimet se tragjedia mund të jetë shkaktuar nga grumbullimi i një sasie të madhe gazi brenda apartamentit të 69-vjeçarit. Kjo mbetet pista kryesore e hetimit, ndërsa autoritetet nuk kanë dalë ende në një përfundim përfundimtar mbi shkakun e shpërthimit.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan efektivë të Policisë së Elbasanit, Forcat e Armatosura, shërbimet e Emergjencave Civile dhe zjarrfikësit.
Ndërkohë, ekspertët xhenierë të RENEA-s, në bashkëpunim me strukturat hetimore dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, po vijojnë këqyrjen e vendngjarjes dhe mbledhjen e provave për të rindërtuar dinamikën e plotë të tragjedisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat që çuan në shpërthimin fatal.
