Eduart Dushku, 49 vjeç, i njohur ndryshe si “i forti i Saukut”, ka përfunduar sërish në prangat e Policisë së Tiranës. Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit të koduar “Eksponenti”, pasi u kap duke transportuar një armë zjarri që dyshohet se ishte e destinuar për trafikim.

49-vjeçari u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit, teksa po lëvizte me motomjet. Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan një pistoletë me municion, ndërsa operacioni vijoi me kontrolle në banesën e tij, ku u gjet edhe një jelek antiplumb.

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi armën e zjarrit, municionin, motomjetin, jelekun antiplumb dhe telefonin celular të të arrestuarit.

Por emri i Eduart Dushkut nuk është i panjohur për autoritetet shqiptare. Ai rezulton me një të kaluar të gjatë kriminale, duke qenë i proceduar dhe i dënuar më parë për një sërë veprash penale, që përfshijnë krime kundër jetës, armëmbajtje pa leje, dhunë në familje dhe shkatërrim prone.

Në dosjen e tij penale përmenden vepra si vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim, dëmtimet e tjera me dashje, kallëzimi i rremë, si dhe shkatërrimi i pronës përmes zjarrit apo lëndëve eksplozive.

Një tjetër episod i ngjashëm ishte regjistruar në vitin 2018, kur Dushku u ndalua po në Rrugën e Elbasanit. Në atë rast, policia i gjeti një pistoletë të tipit “TT”, model 54, të kalibrit 7.62 mm, së bashku me një krehër me tetë fishekë.

Kontrollet e mëtejshme në banesën e tij çuan në zbulimin e një arsenali tjetër, ku përfshiheshin një armë automatike “Kallashnikov”, 11 fishekë pistolete “Makarov”, tetë kapsolla detonatore, dy maska dhe tre telefona celularë.

Një tjetër përballje me drejtësinë kishte ndodhur më 5 shtator 2017, kur Policia e Tiranës e arrestoi në lidhje me dy ngjarje kriminale të viteve 2014 dhe 2015. Hetimet e asaj kohe e lidhën Dushkun me vendosjen e një sasie eksplozivi në një lokal dhe djegien e një automjeti.

Megjithatë, një nga episodet më të rënda të së kaluarës së tij lidhet me vrasjen e Abdulla Vrapit, të ndodhur më 22 gusht 2011 pranë zonës së Sanatoriumit në Tiranë.

Dushku u arrestua rreth shtatë muaj pas kësaj ngjarjeje, më 29 mars 2012, si person i përfshirë në krim. Sipas të dhënave të publikuara, ai qëndroi rreth dy vite në burg, përpara se të lirohej me vendim gjykate.

Emri i 49-vjeçarit u rikthye në vëmendjen e autoriteteve edhe në prill të vitit 2020, kur u përfshi në veprimet e Operacionit Forca e Ligjit (OFL).

Në atë kohë, OFL-ja i sekuestroi tre automjete dhe i kërkoi të justifikonte burimin e pasurisë, në kuadër të kontrolleve ndaj personave me të kaluar kriminale.

Arrestimi i fundit në operacionin “Eksponenti” e rikthen Eduart Dushkun përballë drejtësisë, këtë herë nën dyshimet për përfshirje në trafikimin e një arme zjarri.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Eksponenti”

Arrestohet në Rrugën e Elbasanit, duke transportuar armë zjarri, me motomjet, një 49-vjeçar me precedent të theksuar për krime kundër jetës dhe për armëmbajtje.

Sekuestrohen 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, jeleku antiplumb që i arrestuari kishte në banesë, si dhe motomjeti dhe celulari i tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, finalizuan operacionin e koduar “Eksponenti”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Motomjeti me të cilin lëvizte ky shtetas, u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit. 
Gjatë kontrollit në të, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën dyshohet se shtetasi E. D. do ta trafikonte.

Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet 1 jelek antiplumb.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.