Aktualitet

Protesta në Tiranë, 31 të gjobitur për bllokimin e rrugës!

31 persona janë ndëshkuar me gjobë pas protestës të zhvilluar pasditen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Akuzohen se bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve.

Sipas Policisë, për secilin prej tyre është vendosur masë administrative në vlerën 5 mijë lekë.

Sipas bluve, ata vijuan të qëndrojnë në rrugë, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve, përmes megafonit për ta liruar e lejuar qarkullimin e mjeteve.

Ndërkohë, dy shtetas të tjerë, me inicialet D.G. dhe E.L., janë proceduar penalisht për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë. Sipas njoftimit, nuk iu bindën kërkesave të efektivëve për të paraqitur dokumentet e identifikimit.

Për të dy rastet, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.