Shantazh me video intime, qytetares i kërkojnë 500 euro: Do t’ua dërgoj familjarëve
Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e Publik.al nga një qytetare në Elbasan, e cila pretendon se po kërcënohet përmes rrjeteve sociale me publikimin dhe shpërndarjen e një videoje intime, nëse nuk paguan një shumë parash.
Sipas denoncueses, një profil në Facebook, që përdor emrin Monika Sojli, i ka kërkuar 500 euro, duke e kërcënuar se në të kundërt do t’ua dërgojë videon familjarëve dhe miqve të saj.
Në materialet e dërguara në redaksinë tonë, përfshihen pamje të komunikimeve mes palëve. Në to shfaqen mesazhe ku personi që përdor këtë profil kërkon pagesë në këmbim të fshirjes së videos dhe premton se materiali nuk do të shpërndahet nëse kryhet pagesa.
Në një prej mesazheve, personi në fjalë i kërkon qytetares të dërgojë para përmes Western Union, duke përmendur edhe shumën prej 100 eurosh për nënën e tij të sëmurë. Ndërkohë, denoncuesja shprehet se kërkesa fillestare ndaj saj ka qenë për 500 euro dhe se kërcënimet kanë vijuar me përfshirjen e familjarëve dhe personave të afërt.
Qytetarja thotë se ka raportuar profilin në Facebook dhe e ka bllokuar atë, si në këtë platformë, ashtu edhe në Instagram. Megjithatë, ajo shpreh frikën se videoja mund të shpërndahet dhe kërkon ndërhyrje urgjente për mbylljen e llogarisë.
Sipas denoncimit të mbërritur në Publik.al, personi që e kërcënon i ka vendosur një afat deri në orën 10:00 të paradites së 5 nëntorit për të kryer pagesën.
“Një friendse Monika Sojli më kërcënon me video intime dhe më thotë më dërgo 500€ që mës tua dërgoj familjarëve apo miqve të mi.
Unë vetë i bëra report dhe bllok në fcb dhe në instagram.
Por ajo ka një video intime timen dhe ka marrë disa nga fsmiljarët e mi dhe shoqërisë sime dhe po më bën santazh.
Dua që fcb e saj të mbyllet që të mos ketë mundësi ta postojë videon.
Të bëhet ky bllokim përpara orës 10 paradite sepse në orën 10 pret ti dërgoj me westernunion pagesën,” shkruan qyetarja.
Ky rast ngre shqetësimin për përdorimin e materialeve intime si mjet presioni dhe përfitimi financiar në rrjetet sociale. Kërcënimi për publikimin e përmbajtjeve intime pa pëlqimin e personit është një formë e rëndë dhune dhe shantazhi digjital, e cila kërkon reagim nga autoritetet dhe platformat online.
I bëjmë thirrje qytetares që t’u drejtohet menjëherë strukturave të Policisë së Shtetit dhe të ruajë të gjitha mesazhet, pamjet e ekranit, adresat e profileve dhe të dhënat e kërkesave për pagesë, pa fshirë komunikimet. Gjithashtu, pagesa nuk garanton fshirjen e materialit apo ndalimin e kërcënimeve.
Mbetet për t’u verifikuar identiteti i personit që qëndron pas profilit dhe për të zbardhur nëse bëhet fjalë për një rast të organizuar shantazhi përmes materialeve intime.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco








