Lista Studentore në Serbi ka prezantuar një program me propozime për ndryshimin e kushteve të punës, pagave dhe të drejtave sociale të punëtorëve, ku ndër masat kryesore është edhe java katërditore e punës pa ulje të pagës.

Sipas programit të titulluar “Puna dhe Çështjet Sociale”, punëdhënësit që do të zgjidhnin këtë model do të mund të organizonin punën në katër ditë, me gjithsej 32 orë në javë, ndërsa punëtorët do të vazhdonin të merrnin pagën e plotë, shkruan nova.rs.


Megjithatë, kjo masë nuk do të ishte e detyrueshme për të gjithë punëdhënësit, por do të zbatohej nga ata që vendosin ta përvetësojnë këtë mënyrë të organizimit të punës.

Kontrata të përhershme pas 12 muajsh

Një tjetër propozim ka të bëjë me kufizimin e kontratave me afat të caktuar në maksimumi 12 muaj. Pas kësaj periudhe, punëtorët do të mund të përfitonin kontratë me afat të pacaktuar.

Programi parasheh gjithashtu mbrojtje më të madhe nga largimi i padrejtë nga puna, si dhe masa kundër detyrimit të punëtorëve për të nënshkruar marrëveshje për ndërprerjen e kontratës.

Shtesa më të larta për punën gjatë natës dhe fundjavës

Lista Studentore propozon edhe rritjen e kompensimeve për kushte të veçanta të punës.

Sipas propozimit, shtesat minimale do të ishin:

  • 150 për qind për punën gjatë festave zyrtare.
  • 110 për qind për punën të dielave.
  • 50 për qind për punën gjatë natës.
  • 50 për qind për punën jashtë orarit.
  • 30 për qind për punën me ndërrime.
  • 26 për qind për punën në terren.

Parashihet gjithashtu që kompensimi për ushqim gjatë punës të jetë së paku 10 për qind e pagës mesatare te punëdhënësi, ndërsa regresi të arrijë së paku vlerën e një page mesatare.

Mbrojtje më e madhe për prindërit dhe punëtorët

Propozimet përfshijnë edhe ndryshime në të drejtat prindërore. Gratë që kanë qenë të punësuara para shtatzënisë do të përfitonin të drejtën e pushimit të lehonisë, pavarësisht llojit të kontratës së punës.

Për baballarët propozohet pushim tre-mujor pas lindjes së fëmijës.

Ndërkohë, për pushimin mjekësor gjatë 30 ditëve të para propozohet kompensim prej së paku 75 për qind të pagës përkatëse.

Programi parasheh edhe të drejtën e punëtorëve për të mos iu përgjigjur kërkesave të punës pas përfundimit të orarit zyrtar.

Propozime edhe për pensionet

Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe sistemin pensional. Lista Studentore kërkon harmonizimin e pensioneve dy herë në vit, rritjen e të ardhurave për pensionistët me pensione më të ulëta dhe vendosjen e pensionit social për personat mbi 65 vjeç që nuk kanë stazh të mjaftueshëm për pension.

Po ashtu, propozohet heqja e penalizimeve për pensionimin e parakohshëm në raste të caktuara, varësisht nga vitet e stazhit të punës.

Programi përfshin edhe masa për rritjen e mbrojtjes së punëtorëve të angazhuar përmes platformave digjitale, agjencive dhe formave të tjera jo tradicionale të punësimit.

Të gjitha këto masa janë aktualisht propozime të Listës Studentore dhe jo ndryshime të miratuara ligjore. Për zbatimin e tyre do të nevojiteshin ndryshime në legjislacionin përkatës në Serbi. /Telegrafi/