Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale, por ka kërkuar që ajo të mos bjerë pre e politikës.
“Puna jonë është ta zhvillojmë kryeqytetin, ndërsa puna e Prokurorisë është të shohë nëse po i bëjmë të gjitha gjërat në përputhje me ligjin. Unë i kam bërë thirrje Prokurorisë që të mos bjerë pre e politikës, sepse jemi duke u marrë me zhvillimin e projekteve madhore dhe i dimë sfidat që kemi me nivelin qendror. Ata janë munduar të na bllokojnë në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Rama para gazetarëve.
“Deri më sot na kanë humbur dy vjet. Kjo hapësirë do të mund të ishte shfrytëzuar për qytetarët. Për proceset që mund të kenë probleme, unë e kam ftuar Prokurorinë edhe më herët. Jemi të hapur që të shqyrtohet çdo proces dhe çdo procedurë që zhvillohet brenda prokurimit publik, pasi kjo është edhe natyra e punës së tyre”, ka deklaruar ai./EO