AKTUALITET

Tirana gjeneron 47% të ekonomisë, Kukësi dhe Dibra mbeten qarqet më të varfra

12:09 - 05.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tirana vijon të thellojë peshën e saj në ekonominë shqiptare, duke gjeneruar pothuajse gjysmën e Produktit të Brendshëm Bruto të vendit. Në anën tjetër, qarqet e Kukësit, Dibrës dhe Beratit mbeten ndjeshëm poshtë mesatares kombëtare për prodhimin ekonomik për frymë, duke evidentuar diferencat e mëdha në zhvillimin ekonomik mes rajoneve.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT për vitin 2024 tregojnë se Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) i Shqipërisë arriti në 2.517 miliardë lekë me çmime korrente, me një rritje reale prej 4,03% krahasuar me vitin 2023.

Por shpërndarja e kësaj rritjeje tregon një përqendrim të fortë ekonomik në kryeqytet. Qarku i Tiranës kontribuoi me 3,24 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vendit, nga 4,03 pikë përqindje gjithsej. Pas tij renditen Durrësi me 0,29 pikë përqindje dhe Vlora me 0,15 pikë përqindje.

Në terma të vlerës së prodhuar, Tirana gjeneroi 1.181 miliardë lekë PBB, ose 46,94% të ekonomisë kombëtare. Krahasuar me vitin 2023, pesha e saj në PBB është rritur nga 45,75% në 46,94%, duke konfirmuar forcimin e mëtejshëm të rolit ekonomik të kryeqytetit.

Qendra e vendit mban më shumë se gjysmën e ekonomisë
Ndarja sipas rajoneve statistikore tregon se Rajoni Qendër, ku përfshihen Tirana dhe Elbasani, realizoi 52,87% të PBB-së kombëtare në vitin 2024. Ky rajon shënoi edhe rritjen më të lartë reale, me 6,43%.

Ndërkohë, Rajoni Veri kontribuoi me 21,68% të ekonomisë dhe pati një rritje reale prej vetëm 1,60%. Rajoni Jug zuri 25,45% të PBB-së, me një rritje prej 1,31%.

Këto shifra tregojnë se rritja ekonomike nuk është shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme në territor. Ndërsa Qendra ka rritur peshën e saj në ekonominë kombëtare, Veriu dhe Jugu kanë humbur pjesë relative krahasuar me vitin 2023.

Tirana kryeson për PBB-në për frymë, Kukësi në fund të renditjes
Diferencat bëhen edhe më të dukshme kur ekonomia matet për frymë të popullsisë. Sipas INSTAT, PBB-ja për frymë në Shqipëri arriti në 1.059 mijë lekë në vitin 2024.

Tirana regjistroi nivelin më të lartë, me 1.556 mijë lekë për frymë, rreth 47% mbi mesataren kombëtare. Pas saj renditet Durrësi me 1.152 mijë lekë, ndërsa Fieri me 1.034 mijë lekë.

Në skajin tjetër qëndron Kukësi, me vetëm 568 mijë lekë PBB për frymë, ose 46,32% më pak se mesatarja e vendit. Dibra regjistroi 610 mijë lekë, 42,38% nën mesataren, ndërsa Berati 613 mijë lekë, 42,15% më pak.

Edhe qarqe të tjera mbeten dukshëm poshtë mesatares. Elbasani regjistroi 652 mijë lekë për frymë, Korça 686 mijë lekë, Lezha 723 mijë lekë dhe Shkodra 777 mijë lekë.

Një tjetër tregues domethënës është se vetëm Tirana dhe Durrësi rezultojnë mbi mesataren kombëtare për PBB-në për frymë, ndërsa të gjitha qarqet e tjera janë poshtë saj.

Ekonomia e Jugut mbështetet më shumë te bujqësia, ndërsa Tirana te shërbimet
Struktura e ekonomisë sipas degëve tregon edhe dallimet në modelin e zhvillimit rajonal.

Në nivel kombëtar, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor përbëjnë 21,82% të vlerës së shtuar bruto, duke qenë grupi më i madh i aktiviteteve ekonomike. Pas tyre renditen bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 17,68%, ndërtimi me 14,11% dhe administrata publike, arsimi e shëndetësia me 13,10%.

Në Tiranë, ekonomia ka një profil të ndryshëm nga pjesa tjetër e vendit. Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor përbëjnë 25,29% të vlerës së shtuar bruto të qarkut, ndërsa administrata publike, arsimi dhe shëndetësia zënë 17,24%. Ndërtimi kontribuon me 17,17%.

Në të kundërt, bujqësia ka një peshë shumë të ulët në ekonominë e kryeqytetit, vetëm 1,68%.

Në Rajonin Jug, bujqësia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 38,93% të vlerës së shtuar bruto. Pesha e këtij sektori është veçanërisht e lartë në Berat, me 47,72%, dhe në Fier, me 45,59%. Edhe në Korçë bujqësia zë 39,05% të ekonomisë rajonale.

Në Veri, bujqësia përbën 22,73% të vlerës së shtuar bruto, ndërsa tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor zënë 22,17%./ekofin.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.