Protestat e zhvilluara në Shqipëri kundër qeverisë së Edi Ramës kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Gazeta prestigjioze britanike “The Times”, në një artikull të publikuar nga gazetari Tim Kington, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë revoltës së studentëve dhe akuzave të tyre për korrupsion, klientelizëm dhe kapje të institucioneve shtetërore.
Sipas gazetës, të rinjtë që kanë dalë në rrugët e Tiranës deklarojnë se nuk do të tërhiqen pavarësisht masave të reja ndëshkuese dhe gjobave të rënda të miratuara nga qeveria për pjesëmarrësit në protesta.
Në artikullin e “The Times” pasqyrohen dëshmitë e disa studentëve, të cilët shprehen se masat e reja nuk do t’i trembin dhe se do të vijojnë të protestojnë kundër asaj që e konsiderojnë korrupsion të përhapur në vend.
Një prej tyre është 19-vjeçarja Glevia, e cila tregon se është përballur me gaz lotsjellës, spërkatës me piper dhe plumba gome gjatë protestave.
“Këto gjoba nuk ndryshojnë asgjë, janë thjesht një taktikë për të frikësuar njerëzit. Të shtunën do të jem sërish në rrugë”, citohet të ketë deklaruar ajo.
Gazeta britanike përshkruan gjithashtu situatën e krijuar në kryeqytet pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, duke përmendur dëmtimet në ndërtesa, stacione autobusi dhe sinjalistikën rrugore.
Në artikull trajtohen edhe arsyet që, sipas protestuesve, kanë nxitur zemërimin qytetar. Mes tyre përmenden akuzat për korrupsion në institucione, vështirësitë ekonomike, kostot e larta të jetesës dhe mungesa e mundësive për të rinjtë.
Një tjetër shqetësim i ngritur në shkrim lidhet me arsimin e lartë. Sipas një ankete të cituar nga “The Times”, 80 për qind e studentëve të universiteteve kanë deklaruar se kanë përjetuar korrupsion në fakultetet e tyre, përfshirë pretendimet për pagesa ryshfeti deri në 100 euro për të kaluar provimet.
Gazeta ndalet edhe te roli i SPAK-ut, duke evidentuar hetimet ndaj më shumë se 80 politikanëve dhe zyrtarëve, mes tyre ministra, deputetë, kryetarë bashkish dhe ish-zëvendëskryeministra.
Artikulli përmend gjithashtu shqetësimet e ngritura nga burime të cituara lidhur me përpjekjet e mundshme për të dobësuar këtë institucion.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka akuzuar përhapjen e dezinformimit rus dhe iranian për nxitjen e dhunës, duke e cilësuar situatën si pjesë të një lufte hibride kundër Shqipërisë.
Megjithatë, protestuesit e intervistuar nga gazeta britanike e kundërshtojnë këtë qëndrim, duke e konsideruar qeverinë përgjegjëse për pakënaqësinë e krijuar dhe përshkallëzimin e situatës.
Në artikull pasqyrohen edhe shqetësimet për rritjen e çmimeve dhe qirave në Tiranë, ndërsa pedagogë dhe analistë ngrenë alarmin për emigrimin e të rinjve dhe mungesën e perspektivës ekonomike.
Pavarësisht tensioneve dhe masave të reja të paralajmëruara nga qeveria, studentët shprehen të vendosur për të vijuar protestat.
“Brezi im po dëshmon se stereotipi i ‘brezit të brishtë’ është i gabuar. Ne jemi rebelë, trima dhe nuk do të frikësohemi”, citohet të ketë deklaruar një studente 22-vjeçare për “The Times”.
Artikulli e paraqet revoltën studentore si pjesë të një pakënaqësie më të gjerë shoqërore, ku përballë qeverisë qëndron një brez i ri që kërkon më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe mundësi për të ardhmen e tij.
