A do të ndikojnë protestat në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë? Flet ambasadorja

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka komentuar ndikimin që mund të kenë protestat në vend në procesin e integrimit europian.
E pyetur nëse protestat mund të ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, ambasadorja u shpreh se vendi është në rrugën e duhur për përmbushjen e objektivit të vitit 2027. Megjithatë, ajo theksoi se integrimi nuk është vetëm një proces teknik, por një proces që përfshin të gjithë shoqërinë shqiptare.
Moreira de Sousa nënvizoi se protestat paqësore janë një e drejtë demokratike, ndërsa dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Ajo bëri thirrje për dialog mes palëve dhe për uljen e polarizimit politik.
Ambasadorja: Ritheksoj atë që tha kryeministri. Procesi i integrimit dhe 2027-a, pra jemi në rrugën e duhur. Dje patëm udhërrëfyesin orientues. Anëtarësimi nuk është vetëm një detyrë teknike, i përket gjithë shoqërisë shqiptare. Këto shqetësime janë në thelb të procesit të anëtarësimit.
Protestat paqësore janë e drejtë demokratike, por jo dhuna. Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike, pavarësisht se nga kush vjen. Ajo që mungon sot është dialogu dhe të gjitha palët duhet të bëjnë një përpjekje të vërtetë për të filluar dialogun dhe ne duhet ta luftojmë këtë polarizim. Kjo mund të bëhet në mënyra demokratike, me anën e institucioneve demokratike. Jo me anë të dhunës.
Protestat ne i kemi edhe në Europë. E rëndësishme është të kuptojmë se cilat janë pakënaqësitë e qytetarëve dhe të gjejmë mënyrat se si t’i trajtojmë ato.




