Kryeministri Edi Rama tha se Komisioni Europian e konsideron ambicioz, por të arritshëm objektivin për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Rama tha se kjo mundësi nuk duhet të vihet në pikëpyetje “për mustaqet e asnjë Çeloje”.
“Për herë të parë, KE ka paraqitur udhërrëfyesin orientues për katër vendet më të përparuara në procesin e negociatave. Për Shqipërinë, ky udhërrëfyes përcakton etapat dhe objektivat e punës për vitin sfidues që kemi përpara, duke i dhënë procesit shumë qartësi dhe parashikueshmëri. KE e konsideron objektivin për t’i përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027 si ambicioz, por të arritshëm. Vlerësim tejet i rëndësishëm për Shqipërinë.
Udhërrëfyesi nuk përcakton datë anëtarësimi, se nuk ka si ta përcaktojë, se nuk e paracakton dot as rezultatin e negociatave. Por na tregon, centimetër për centimetër, kilometrin e fundit të rrugës për të përmbushur këtë objektiv kombëtar dhe historik. Kjo do të thotë që koha merr çdo ditë më shumë rëndësi. Dhe çdo ditë bëhet më e çmuar në raport me këtë objektiv. Këtë duhet ta kuptojnë mirë ata që janë përfshirë në vijë të parë të këtij procesi: Parlamenti, qeveria, gjyqësori. Dhe, para të gjithëve, duhet ta kuptojë shumica jonë qeverisëse.
Mundësia që kemi sot për të përmbyllur negociatat është unike, është historike dhe nuk është aty si një e dhënë e palëvizshme njëherë e përgjithmonë. Historia nuk do të na e falte kurrë vjedhjen e kësaj historie për shkakun tonë, të shqiptarëve. Unë do të bëj çmos që të ndodhë e kundërta e fatkeqësisë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur mundësinë të ngjitet lart dhe që askush dhe asgjë të mos e vërë në pikëpyetje këtë mundësi historike për mustaqet e asnjë Çeloje”, tha Rama.


