Cristiano Ronaldo theu rekorde dhe refuzoi t’i dorëzohej kohës. Por, tashmë ka mbërritur në stacionin që prej kohësh po i afrohej, duke i dhënë fund aventurës me fanellën e Portugalisë në moshën 41-vjeçare dhe duke lënë pas një trashëgimi që vështirë se mund të përsëritet.

Pas këtij vendimi befasues qëndron një histori e gjatë sfidash, llogaritjesh dhe ndoshta edhe arsyesh që ende nuk janë bërë të ditura.


Kriza me Jorge Jesus: Shkëndija që përshpejtoi fundin e aventurës ndërkombëtare

Një përplasje e ashpër mes Cristiano Ronaldos dhe bashkëkombësit të tij, Jorge Jesus, aktualisht përzgjedhës i kombëtares së Portugalisë, ka hedhur hije mbi të ardhmen e kapitenit me kombëtaren.

Mospajtimet taktike përfunduan në një konflikt publik, i cili kulmoi me largimin e yllit portugez nga grumbullimi i kombëtares. Më vonë, ai bëri të ditur synimin për t’i dhënë fund karrierës ndërkombëtare pas kësaj periudhe të ndeshjeve me përfaqësuesen.

Gjithçka nisi kur Jesus e la Ronaldon në bankën rezervë gjatë gjithë ndeshjes kundër Norvegjisë. Trajneri i kishte thënë se mund të priste të luante rreth 30 minuta, por më pas ndryshoi mendje dhe vendosi të mos e aktivizonte për arsye taktike.

Ronaldo e konsideroi këtë si shkelje të marrëveshjes mes tyre. Përplasja u përshkallëzua edhe më shumë pasi Jesus foli për mediat në një mënyrë që nuk përputhej me atë që të dy kishin diskutuar gjatë një takimi privat.

Ruajtja e trashëgimisë

Vendimi i Cristiano Ronaldos për t’i dhënë fund karrierës ndërkombëtare duket se shkon përtej mosmarrëveshjeve të fundit. Ai lidhet edhe me dëshirën për të mbrojtur imazhin historik që ka ndërtuar me fanellën e Portugalisë përgjatë më shumë se dy dekadave.

Legjenda portugeze ka arritur suksese të jashtëzakonshme me vendin e tij. Ai fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2016, triumfoi dy herë në Ligën e Kombeve, në vitet 2019 dhe 2025, si dhe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar me 146 gola.

Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo e di se vazhdimi i karrierës në fushë sjell gjithnjë e më shumë sfida fizike dhe teknike. Ndoshta ai nuk dëshiron që vitet e fundit me kombëtaren të kthehen në një spektakël që do të ishte larg nivelit me të cilin bota është mësuar ta shohë.

Prandaj, pensionimi nga kombëtarja mund të jetë përpjekja e tij për ta përfunduar këtë rrugëtim sipas kushteve të veta, duke ruajtur një trashëgimi të cilës pak futbollistë do t’i afrohen ndonjëherë.

Ronaldo e kuptoi të vërtetën!

Në moshën 41-vjeçare, Cristiano Ronaldo nuk i ka më kapacitetet fizike që e lejuan të dominonte për kaq shumë vite. Edhe niveli i tij teknik nuk e ka më vazhdimësinë dhe ndikimin që kishte në kulmin e karrierës.

Ai ende mund të shënojë gola dhe të vendosë fatin e një ndeshjeje, por konkurrimi në nivelin më të lartë bëhet gjithnjë e më i vështirë me kalimin e moshës. Kjo realitet mund ta ketë shtyrë të rishqyrtojë të ardhmen e tij me kombëtaren.

Kapiteni i Portugalisë ndoshta e ka kuptuar se rruga përpara nuk do të jetë e lehtë dhe se nuk mund t’i ofrojë më përfaqësueses atë që i ka dhënë dikur. Konkurrenca është më e fortë, ndërsa një gjeneratë e re po vjen./Telegrafi/