Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar për progres-raportin e Komisionit Europian, duke e cilësuar atë si dëshmi të regresit dhe dështimit të qeverisë Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Xhixho rendit si problematika krizën e demokracisë, shkeljen e të drejtave të opozitës, korrupsionin dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Ajo kritikon gjithashtu mbrojtjen politike të Belinda Ballukut, bllokimin e fondeve IPARD dhe dhunën ndaj protestuesve, ndërsa kërkon reformë zgjedhore dhe institucione që garantojnë shtetin e së drejtës.
Postimi i plotë:
Progres-raporti i Komisionit Europian, provë e qartë e regresit dhe dështimit të qeverisë Rama!
Raporti konfirmon një të vërtetë që opozita e ka denoncuar prej kohësh: Shqipëria po përjeton një krizë serioze të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe të funksionimit të institucioneve.
Parlamenti është kthyer në noter të qeverisë, një institucion ku shkelen të drejtat kushtetuese të opozitës dhe shumica sillet sikur nuk ka as ligj, as Kushtetutë. Kjo nuk është demokraci parlamentare, por arrogancë pushteti!
Korrupsioni i shtrirë në çdo qelizë qeverisëse. Rasti i imunitetit të Belinda Ballukut është prova e standardeve të dyfishta dhe mburoja politike e zyrtarëve të korruptuar. Për qytetarët, ligji zbatohet me ashpërsi, ndërsa njerëzit e kryeministrit mbrohen me kartonat e shumicës. Barazia përpara ligjit nuk mund të jetë privilegj që qeveria e jep dhe e heq sipas interesit të saj.
Moszbatimi nga shumica parlamentare i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është një tjetër akt i rëndë që godet rendin kushtetues.
Shqipëria ka nevojë urgjente për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Nuk mund të ketë integrim europian me zgjedhje që nuk garantojnë garë të ndershme, barazi dhe vullnet të lirë të qytetarëve.
Reforma territoriale dhe administrative po përdoret për të thelluar centralizimin e pushtetit. Kundër vullnetit të komuniteteve të prekura, ajo dobëson autonominë vendore, largon shërbimet nga qytetarët dhe përshpejton shpopullimin.
Fondet IPARD për Shqipërinë vijojnë të mbeten të bllokuara, duke penalizuar mijëra fermerë. Ky është një nga dështimet më flagrante të qeverisë Rama. Fermerët shqiptarë po paguajnë çmimin e paaftësisë dhe abuzimit institucional të kësaj qeverie.
Raporti ngre shqetësime edhe për mënyrën se si Policia e Shtetit menaxhoi protestat, duke evidentuar përdorimin e dhunës ndaj protestuesve dhe theksuar faktin se ky është mobilizimin më i madh qytetar që prej vitit ‘90. Ky është një tjetër sinjal alarmi: në vend që të dëgjojë qytetarët, pushteti zgjedh t’u përgjigjet atyre me dhunë çnjerëzore.
Integrimi europian nuk është dekor për fjalimet e Edi Ramës! Nuk matet me konferenca apo me lista ligjesh të miratuara, por me demokraci funksionale, zgjedhje të lira, drejtësi të barabartë për të gjithë, luftë reale kundër korrupsionit dhe institucione të pavarura.
Shqipëria ka nevojë për një kthesë të vërtetë demokratike, për institucione që u shërbejnë qytetarëve dhe jo një pushteti që kontrollon gjithçka. Europa nuk është propagandë. Europa është standard, përgjegjësi dhe sundim i ligjit!
© SYRI.net