Rritet buxheti për shëndetësinë, Spahiu: Zgjerojmë skemën e rimbursimit të barnave, më shumë para për onkologjinë

4.7 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e kaluar do të investohen në sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Lajmi u bë i ditur nga ministrja Klodiana Spahiu, gjatë raportimit në komisionin parlamentar, ku u diskutua projektbuxheti për vitin 2027.Gjatë prezantimit të prioriteteve kryesore Spahiu theksoi se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zgjerimit të skemës së rimbursimit të barnave, veçanërisht atyre onkologjike.
“Buxheti i vititi 2027 për Mirëqenien dhe Shëndetësinë parashikohet të arrijë në 117.8 miliardë lekë me një rritje prej 4.7 miliardë lekë krahasuar me planin e vitit 2026. Për vitin 2027 Fondi i Sigurimit të Barnave parashikohet të arrijë në 14.5 miliardë lekë nga 13.5 miliardë lekë që ishte në vitin 2026. Bëhet fjalë për një rritje prej 7.4% e orientuar drejt zgjerimit të aksesit në barna me vëmendje të veçantë ndaj barnave onkologjike”, tha Spahiu.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë është ngritja e Institutit Kombëtar të Onkologjisë, i cili, sipas ministres pritet të nisë funksionimin në fillim të vitit 2027.
“Në janar të vitit 2027 kalojmë në një zhvillim tjetër që është Instituti Kombëtar i Onkologjisë për të cilin parashikohet një financim prej rreth 2 miliardë lekësh dhe një trajtim për rreth 6200 pacientëve“, shtoi ministrja.
Në buxhetin e vitit 2027 parashikohet gjithashtu rimbursimi i fishave të glicemisë për pacientët që vuajnë nga diabeti.
“Vijojmë gjithashtu mbështetjen për pacientët me diabet përmes rimbursimit të fishave të glicemis për kategoristë përfituese me një fond prej 170 milion lekësh dhe finacimin e paketës së stomës për rreth 770 pacientë. Për arsye teknike nuk është bërë e mundur ofrimi i sensorëve për matjen e glicedmisë për fëmijët diabetik të diagnostikuar me diabet tip 1. Do ta adresojmë dhe këtë çështje në buxhetin e vitit 2027 duke i kërkuar ndjesë kësaj kategorie, prindërve të tyre që kjo gjë kjo nuk është realizuar jo për arsyë të fondeve por për arsye teknike“, tha Spahiu.
Ministrja bëri me dije se nga 1 janari do të zbatohet politika e shpërblimit për lindjen e fëmijës, si një masë për të mbështetur familjet me të porsalindur. Ndërkohë, nga korriku i vitit 2027 parashikohet të nisë edhe mbështetja mujore për familjet me të ardhura të ulëta, për fëmijët e moshës 0-5 vjeç. Sa i përket bonusit të lindjes, mbështetja financiare do të jetë 50 mijë lekë për fëmijën e parë, 70 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 100 mijë lekë për fëmijën e tretë.




