Lajm i keq për tifozët kuqezi, Shqipëria mbetet pa mbështetjen e tyre në ndeshjen vendimtare

Kombëtarja shqiptare do të përballet me Bjellorusinë në ndeshjen e fundit të Grupit C1 në Ligën e Kombeve pa praninë e tifozëve në stadium. Lajmi është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka bërë të ditur se vendimi i UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve të Bjellorusisë me dyer të mbyllura vijon të jetë në fuqi.
Sfida do të luhet më 15 nëntor në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest të Hungarisë, por shkallët e impiantit do të jenë bosh.
Vendimi lidhet me sanksionet e vendosura nga UEFA ndaj Bjellorusisë më 3 mars 2022. Sipas këtij vendimi, ekipet kombëtare dhe klubet bjelloruse janë të detyruara t’i zhvillojnë ndeshjet si pritëse në stadiume neutrale dhe pa praninë e spektatorëve.
Kështu, edhe pse takimi zhvillohet në Hungari dhe jo në territorin bjellorus, tifozët shqiptarë nuk do të kenë mundësi të mbështesin nga afër kuqezinjtë në këtë përballje të rëndësishme.
Një lajm zhgënjyes për tifozët shqiptarë, të cilët nuk do të mund të jenë pranë Kombëtares në një sfidë me rëndësi për objektivat e saj në Ligën e Kombeve.




