
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po pengon procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke mos garantuar kontrollin parlamentar mbi qeverinë dhe zbatimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë.
Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi qëndrimit të Kuvendit ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. Berisha e cilësoi këtë çështje si një nga shqetësimet më serioze të evidentuara në raport, duke argumentuar se ajo vë në pikëpyetje kontrollin dhe balancën mes pushteteve, si dhe barazinë e qytetarëve para ligjit.
Sipas kreut të PD-së, mazhoranca jo vetëm që refuzon kërkesat e opozitës për komisione hetimore, por pengon edhe zhvillimin e debateve parlamentare për këto çështje. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për vonesa në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Berisha kritikoi edhe qëndrimin e kryeministrit Rama ndaj raportit të Komisionit Evropian, duke pretenduar se ai shmang komentet për problematikat e evidentuara. Kreu i opozitës e cilësoi kryeministrin përgjegjësin kryesor për situatën politike dhe institucionale në vend.
“Dhe më e tmerrshme, më e veçanta, më e pashembullta në historinë e Evropës, Komisioni thotë se pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të një deputeteje, Lubi Ballukut është fjala. Kjo ngre shqetësime për kontrollin e ndërsjellë mes pushteteve dhe për barazinë para ligjit”, deklaroi Berisha.
Ai e lidhi këtë çështje me procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar Ballukun si një pengesë për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Berisha akuzoi gjithashtu Ramën se nuk ka reaguar ndaj kritikave të raportit për këtë çështje.
Në vijim, kreu i PD-së përmendi edhe rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke pretenduar se pengimi i procedurave për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë është përsëritur gjatë qeverisjes së Ramës.
“Prandaj dhe unë nuk kam dëshirë ta personalizoj një raport ndërkombëtar, por në çdo fjalë lexohet emri i Padrinos”, u shpreh ai.
Në fund, Berisha akuzoi mazhorancën se po vonon zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se qeveria nuk respekton vendimet e gjykatave.