
Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, ka vlerësuar figurën e Isuf Luzajt, duke e cilësuar atë si një prej personaliteteve që përfaqësojnë krenarinë e historisë dhe kulturës shqiptare.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hajdari ka ndarë emocionet nga pjesëmarrja në promovimin e katër volumeve kushtuar Isuf Luzajt, botuar nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.
Prefekti e përshkroi Luzajn si politikan, patriot, intelektual, poet, publicist, profesor dhe filozof, duke theksuar rëndësinë e njohjes dhe vlerësimit të veprës së tij.
Gjatë aktivitetit, Shkëlqim Hajdari bëri të ditur se ka marrë përsipër që, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, të organizojë një simpozium shkencor, i cili do t’i kushtohet veprës së Isuf Luzajt si filozof.
Nisma synon të sjellë në vëmendje kontributin intelektual dhe filozofik të Luzajt, si dhe të nxisë një trajtim më të thelluar të trashëgimisë së tij.