41 deputetë të opozitës i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin e mazhorancës për rrëzimin e kërkesës për ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për veprimtarinë e shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., e cila lidhet me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Kërkesa vjen pas vendimit të 8 tetorit 2026, kur mazhoranca rrëzoi me shumicë votash nismën e opozitës. Deputetët kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të detyrojë Kuvendin të ngrejë komisionin hetimor dhe të shpallë antikushtetues vendimin nr. 164/2026, për mosmiratimin e projektvendimit.
Në objektin e komisionit të kërkuar nga opozita përfshiheshin kontrolli i ligjshmërisë së marrëveshjeve të KAYO-s me palët e treta, verifikimi i procedurave të përzgjedhjes dhe negocimit të kontratave, si dhe kontrolli i veprimtarisë së shoqërisë mëmë dhe kompanive bija në fushën e prodhimit dhe tregtimit të armëve.
Gjithashtu, opozita kërkonte hetimin e përdorimit të fondeve nga Buxheti i Shtetit, verifikimin e dyshimeve për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve dhe vlerësimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Atlantikut të Veriut, NATO.
Në argumentet e paraqitura në Kushtetuese, 41 deputetët pretendojnë se vendimi i mazhorancës ka cenuar të drejtën kushtetuese të pakicës parlamentare për ngritjen e komisioneve hetimore. Sipas tyre, kjo e drejtë nuk mund të mohohet apo kufizohet nga vendimmarrja e shumicës, pasi kërkesa e një të katërtës së deputetëve e bën të detyrueshme ngritjen e komisionit.
Deputetët i referohen nenit 77 të Kushtetutës dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se komisionet hetimore janë një instrument i rëndësishëm i kontrollit parlamentar dhe se në një sistem parlamentar është opozita ajo që ka përgjegjësinë për të mbikëqyrur qeverisjen.
Në kërkesë theksohet se, edhe në rastet kur mazhoranca pretendon se objekti i hetimit bie ndesh me parimet kushtetuese, ajo duhet të propozojë formulime alternative, duke i dhënë mundësi pakicës parlamentare të riformulojë kërkesën.
“Ne deputetët e pakicës parlamentare jemi të vendosur për të qëndruar të angazhuar në proceset demokratike brenda sistemit institucional, por nuk do të pajtohemi kurrë me asgjësimin e parlamentarizimit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese”, thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Opozita pretendon se mazhoranca po e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak dhe se vendimmarrjet po diktohen nga shumica e votave dhe jo nga argumentet. Sipas deputetëve, deri më tani nuk është pranuar asnjë kërkesë e pakicës parlamentare për ngritjen e komisioneve hetimore.
Në mbështetje të pretendimeve të tyre, deputetët përmendin edhe Raportin e Progresit të Komisionit Europian për vitin 2026, i cili, sipas tyre, ngre shqetësime për funksionimin demokratik të Kuvendit dhe kontrollin parlamentar.
Në përfundim, 41 deputetët kërkojnë që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë çështjen me përparësi dhe të vendosë për detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor për KAYO-n.





