Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po pengon procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke mbrojtur Belinda Ballukun dhe duke mos lejuar hetimin parlamentar të çështjeve që lidhen me qeverisjen.
Në një konferencë për mediat, Berisha u ndal te kritikat e Raportit të Progresit të Komisionit Europian për funksionimin e Kuvendit, mungesën e konsultimeve publike dhe refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
Ai tha se mazhoranca nuk lejon as debat për këto kërkesa, me qëllim që qytetarët të mos informohen për çështjet që opozita kërkon të hetojë. Berisha kritikoi gjithashtu mënyrën e miratimit të buxhetit të vitit 2025 dhe mosparaqitjen e rregullt të ministrave në Kuvend për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Pjesën më të madhe të deklaratës, kreu i PD-së ia kushtoi çështjes së Belinda Ballukut dhe vendimit të Kuvendit për të mos miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj.
Duke iu referuar Raportit të Komisionit Europian, Berisha tha se kjo situatë ngre shqetësime për kontrollin e ndërsjellë mes pushteteve dhe barazinë para ligjit.
“Mur i pakalueshëm në rrugën drejt BE-së bëhet hajdutja më e madhe në historinë e këtij kombi, pas Edi Ramës, Lubi Balluku”, deklaroi Berisha, duke e akuzuar kryeministrin se nuk iu referua kritikave të raportit europian gjatë komunikimeve të tij publike.
Berisha e krahasoi çështjen e Ballukut me rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri, duke theksuar se bllokimi i kërkesave për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë është përsëritur gjatë qeverisjes së Ramës.
Ai akuzoi gjithashtu mazhorancën se po vonon zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke përmendur edhe çështje të tjera përtej asaj të Ballukut.
“Nuk pyet ky për gjykatën”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar kryeministrin si përgjegjësin kryesor për situatën që, sipas tij, po pengon kontrollin institucional dhe procesin e integrimit europian.a.b





