Instituti i Statistikave kërkon para shtesë me përparësi për të bërë të mundur realizimin e CENS-it të bujqësisë, në mënyrë që të bëhet i mundur realizimi i këtij procesi gjatë vitit të ardhshëm, pas disa shtyrjeve.
Lantona Sado, drejtoresha e INSTAT, u shpreh: “Në lidhje me CENSI-in e bujqësisë kemi kryer disa detyra kryesore, por 2027-ta duhet të na gjej të aktivizuar, duke bërë investime në teknologjike, mjetet teknike për cens-in dhe në tetor duhet të kemi rekrutuar punonjës. 25 milionë lekë për staf shtesë, investimet në infrastrukturë 35 milionë lekë. Dua të theksoj se koha e alokimit të fondeve është vendimtare për realizimin e CENS-it”.
Vonesat gjatë hartimit dhe dërgimit në Kuvend të projektligji për CENS-in e bujqësisë bënë që ai të miratohet në seancë plenare në korrik 2026, duke mos i lenë kohën e mjaftueshme në dispozicion INSTAT për të kryer procedurat e nevojshme: “Një pjesë e procedurave të prokurimeve që ishte projektuar, edhe pse arritëm të shkonim deri në fund, e anuluam, pasi çdo investim që ne bënim ishte i lidhur me miratimin e ligjit për censin por edhe me sigurimin e fondeve”.
Këtyre kërkesave iu përgjigj pjesërisht pozitivisht Ministria e Financave.
“Projekti për investimet teknologjike për cens nga MF është parashikuar 40 milionë lekë. nga INSTAT ka kërkuar 736 milionë lekë, nga ana jonë është vlerësuar dhe shtuar në buxhet një vlerë prej 440 milionë lekë. duke vlerësuar që gjatë vitit do të shikohet se si do të zhvillohet ky proces mbetemi të hapur që përmes akteve normative të akomodohen shpenzimet e tjera”, tha Vilma Çausholli.
Censi i bujqësisë pritej të realizohej këtë vjeshtë por është shtyrë për në vitin 2027. Censi i fundit për bujqësinë është bërë në vitin 2012, dhe që prej vitit 2022 kur ishte afati i parë për të realizuar këtë numërim të ri, ky proces është shtyrë disa herë për arsye të ndryshme.










