Tridhjetë e një alarme (të rreme) për bomba në fluturimet europiane gjatë pesë ditëve të fundit. Plot 31 avionë, me rreth 5 mijë persona në bord, janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve të tjera për të kontrolluar gjithçka, nga bagazhet deri te pjesët më të fshehta të trupit të avionëve, për t’u siguruar se në bord nuk kishte asnjë eksploziv. Dhjetëra mijëra euro janë shpenzuar për menaxhimin e emergjencave. Dhe hija e një lufte psikologjike (por edhe logjistike) qëndron mbi qiellin e kontinentit.

Një valë e paprecedentë alarmesh të rreme për bomba ka përfshirë hapësirën ajrore europiane, veçanërisht që nga fillimi i këtij muaji, duke detyruar të paktën katërmbëdhjetë fluturime komerciale të devijojnë, të evakuohen ose të interceptohen nga avionë ushtarakë.

Mesatarisht, më shumë se gjashtë alarme në ditë që nga 1 nëntori, ndërkohë që në vitet e mëparshme statistikat regjistronin maksimumi një ose dy në muaj. Ekspertët e sigurisë ajrore paralajmërojnë se kjo tendencë mund të vazhdojë, ndoshta sërish me valë si ato të 3 dhe 5 nëntorit. Ata theksojnë se nuk ka një zgjidhje të menjëhershme: sa herë që mbërrin një sinjalizim për eksploziv në një fluturim, kompanitë ajrore dhe kullat e kontrollit nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse ta devijojnë avionin drejt aeroportit më të afërt dhe më të pajisur për të përballuar këtë lloj emergjence.

Kush mund të qëndrojë pas alarmeve për bomba?

Shërbimet e inteligjencës dhe autoritetet e sigurisë po i përqendrojnë hetimet në tri drejtime. Pista që konsiderohet më e besueshme lidhet me një operacion të koordinuar “swatting”, të organizuar përmes emaileve të koduara dhe telefonatave të pagjurmueshme. Disa flasin për një “luftë hibride” të mirëfilltë, të konceptuar për të testuar shpejtësinë e reagimit të mbrojtjes ajrore të vendeve të NATO-s, për të krijuar vështirësi operative në hapësirën ajrore të kontinentit, për të shteruar burimet e shërbimeve të emergjencës dhe për të “shpërqendruar vëmendjen nga diçka tjetër”.

Të njëjtën gjë mendojnë edhe ekspertët e sigurisë ajrore. Ata kujtojnë se alarmet e rreme për bomba në fluturime ndodhin, por shpesh kanë qenë rezultat i ndonjë shakaje me shije shumë të keqe ose i arsyeve personale të lidhura me dikë që mund të ndodhej në bordin e atij avioni. Por valët e nëntorit dalin jashtë këtij lloj “sjelljeje”, jo vetëm sepse janë statistikisht më të shumta, por edhe sepse shfaqin shenja të një veprimi të koordinuar.

Osprey Flight Solutions, një kompani që këshillon dhe ndihmon kompanitë e mëdha të operojnë në mënyrë të sigurt, shkruan në një njoftim për klientët se “shpeshtësia e kërcënimeve është e tillë që sugjeron një lidhje mes tyre” dhe se pas tyre mund të qëndrojë “një individ ose një grup”, pa llogaritur ata që veprojnë duke imituar alarmet e mëparshme. “Mungesa e një objektivi të qartë, një shtet, një aeroport apo një kompani ajrore, tregon se synimi është të krijohen probleme në lidhjet ajrore”.

I dyshuari kryesor? Rusia ose persona të afërt me të apo simpatizantë të saj. Duhet thënë gjithashtu se nuk përjashtohen veprime automatike të kryera përmes rrjeteve kompjuterike “botnet”, apo hakmarrje të lidhura me luftën psikologjike dhe tensionet e larta gjeopolitike në Lindjen e Mesme. E sigurt është se kjo ka një ndikim të ndjeshëm në një rrjet ajror që, në vitin 2026, përballon mesatarisht rreth 36-37 mijë fluturime komerciale në ditë në nivel kontinental, sipas Eurocontrol.

Ndikimi ekonomik

Pa përmendur ndikimin ekonomik për kompanitë ajrore të përfshira. Sipas Eurocontrol, kostoja mesatare e përllogaritur për devijimin e një avioni në linjat kontinentale (me distancë të mesme) varion nga 55 mijë deri në 75 mijë euro për çdo fluturim.

Kjo shumë përfshin karburantin shtesë, orët e përdorimit të avionit, tarifat e uljes emergjente në aeroporte që nuk ishin parashikuar në itinerar, si dhe asistencën dhe sistemimin e pasagjerëve në fluturime të tjera. Për fluturimet ndërkontinentale ose ato me distanca të gjata, kostoja e një devijimi të vetëm mund të kalojë lehtësisht 150 mijë euro./CorrieredellaSera