Vendosni fjalën kyçe....

SPAK kërkon 10 vite burg për Leonard Dukën dhe 6 vite për Drianto Bardhin për planet e vrasjes së Martinajt dhe Mihasit


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për Leonard Dukën dhe Drianto Bardhin, të akuzuar për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për realizimin e vrasjeve të Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.

SPAK kërkon dënimin me 10 vite burg për Leonard Dukën dhe 6 vite burg për Drianto Bardhin.

Sipas akuzës, të dy, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e atentateve gjatë periudhës qershor-shtator 2020, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që drejtohej nga Duka.

Çështja është pjesë e dosjes së njohur si “Revanshi”, ku hetimet u mbështetën në mijëra komunikime të zbardhura në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC. Përmes këtyre komunikimeve, hetuesit zbuluan plane dhe episode të ndryshme që lidhen me përplasjet mes grupeve kriminale.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022, ndërsa Erigers Mihasi u ekzekutua në një atentat në Tiranë.

Leonard Duka është dënuar më herët me 30 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, i njohur si një prej personave të afërt me Ervis Martinajn. Duka u shpall fajtor si organizator i ekzekutimit të Malkos, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019.

Pretenca e SPAK për dy të pandehurit pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë përfundimisht mbi përgjegjësinë penale dhe dënimin e tyre.