Vendosni fjalën kyçe....

Buxheti 2027, Malaj: Ekonomia pritet të rritet me 3.9%, pensionet indeksohen me 2.9% në prill


Ministria e Financave parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.9% gjatë vitit 2027, ndërsa pensionet do të indeksohen me 2.9% në muajin prill.

Këto janë disa nga parashikimet kryesore të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, i cili u diskutua në Komisionet Parlamentare, ku pati debate mes mazhorancës dhe opozitës për pensionet, kursin e këmbimit dhe mbështetjen ndaj bizneseve.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se të ardhurat në buxhetin e vitit 2027 parashikohen të arrijnë në 907 miliardë lekë.

Sipas tij, rreth 4 miliardë lekë do të vijnë si efekt pozitiv i paketës fiskale, ndërsa pjesa tjetër e rritjes së të ardhurave pritet të sigurohet nga zgjerimi ekonomik, miradministrimi fiskal dhe ulja e informalitetit.

I pyetur nga deputeti Erion Braçe për rreziqet që mund të ndikojnë në ekonominë dhe buxhetin e vitit të ardhshëm, Malaj përmendi zhvillimet gjeopolitike, ndryshimet klimatike dhe demografinë. Sa u përket financave publike, ai evidentoi si rreziqe mosrealizimin e investimeve dhe të ardhurave, rritjen e normave të interesit dhe luhatjet e kursit të këmbimit.

Një nga çështjet më të diskutuara ishte mbështetja për pensionistët.

Opozita kërkoi që rritja e pensioneve të mos mbështetet vetëm te bonuset, por të përfshihet në mënyrë të qëndrueshme në masën bazë të pensionit. Deputeti Bozdo kërkoi sqarime për analizën mbi të cilën janë përcaktuar bonuset dhe ndikimin e tyre në skemën e pensioneve.

Malaj u përgjigj se Ministria e Ekonomisë po punon për rishikimin e skemës, ndërsa bëri të ditur se nga janari do të dyfishohet bonusi mujor për pensionistët, me një kosto prej 20 miliardë lekësh.

Sipas kategorive, pensionet urbane të plota deri në 40 mijë lekë do të përfitojnë 3600 lekë në muaj, pensionet urbane të pjesshme deri në 22 mijë lekë do të marrin 1600 lekë, ndërsa pensionet rurale deri në 18 mijë lekë do të përfitojnë 2000 lekë. Bonuse të dyfishuara parashikohen edhe për pensionet familjare dhe ato të invaliditetit.

Ministri konfirmoi gjithashtu se indeksimi i radhës do të bëhet në prill 2027, me një normë të parashikuar prej 2.9%. Për këtë qëllim janë parashikuar 4 miliardë lekë në buxhet.

“Indeksimi i pensioneve do të bëhet në prill, për të kompensuar rritjen e çmimeve. Niveli i indeksimit që kemi parashikuar është 2.9% për vitin 2027, edhe inflacioni është brenda këtyre niveleve”, deklaroi Malaj.

Debati u përqendrua edhe te rënia e euros dhe pasojat për bizneset eksportuese, veçanërisht industrinë fason.

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, kërkoi masa konkrete për të mbështetur sektorët e prekur nga kursi i këmbimit, duke paralajmëruar se disa biznese janë në prag falimentimi. Ai përmendi kërkesën e fasonëve për kompensim, në masën 5% të humbjeve që u shkakton zhvlerësimi i valutës.

Ministri Malaj pranoi se industria fason është prekur nga kursi i këmbimit, por theksoi se Shqipëria zbaton një regjim të lirë të kursit valutor dhe se qeveria nuk do të ndërhyjë për ta fiksuar atë apo për të subvencionuar një sektor të caktuar. Sipas tij, bizneset që përballen me këtë problem duhet të përshtatin modelin e tyre të aktivitetit.

Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon në total 976 miliardë lekë shpenzime, ku më shumë se 2 miliardë euro janë planifikuar për investime. Gjatë diskutimeve u trajtua edhe procesi i rindërtimit pas tërmetit, i cili hyn në vitin e shtatë.

Malaj bëri të ditur se deri tani janë shpenzuar mbi 1 miliard euro nga fondet e buxhetit të shtetit, ndërsa për përmbylljen e procesit parashikohet të përdoren edhe 150 milionë euro të tjera.

Pas përfundimit të fazës së prezantimit të projektbuxhetit në komisionet parlamentare, javën e ardhshme pritet të nisë shqyrtimi dhe miratimi i tij në parim dhe nen për nen.