Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi në GJKKO: Nuk ka prova për kontratën e fibrës optike, kërkuam pavlefshmërinë e ekspertizës financiare


Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme, ish-deputetja Monika Kryemadhi ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me çështjen e fibrës optike dhe deklarimin e pasurisë.

Ajo ka kërkuar thirrjen e disa dëshmitarëve, mes tyre edhe Adrian Shatkut, duke pretenduar se nuk ekzistojnë dokumente apo prova që vërtetojnë kontratën private mes dy kompanive, për të cilën flet akuza.

Kryemadhi u shpreh se gjatë seancës janë trajtuar çështjet që lidhen me interkonjeksionin, ekspertimin e telefonit, ligjin e minierave dhe deklarimin e pasurisë. Sipas saj, pretendimi për një kontratë mes dy kompanive private nuk mbështetet nga asnjë dokument shkresor apo komunikim.

“Nga ana e dokumenteve shkresore nuk ka asnjë dokument dhe asnjë provë, as edhe një mesazh që të vërtetojë atë që pretendon organi i akuzës. Meqë kanë një deduksion, do t’i japim një shpjegim edhe deduksionit dhe këtë mund ta zgjidhin vetëm dy dëshmitarët”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo kërkoi gjithashtu thirrjen e ish-kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Inovacionit, Milena Harito, duke argumentuar se dokumentacioni zyrtar, sipas saj, përmban shkresa me vula dhe firma që mund të sqarojnë çështjen. Për pjesën që lidhet me ligjin e minierave, Kryemadhi kërkoi dëshminë e ish-ministrit Eduard Shalsi, si dhe të Namik Koplikut dhe përfaqësuesve të grupit të Ministrisë së Industrisë.

Në listën e dëshmitarëve që kërkon të thirren në gjykatë janë edhe Pirro Xhixho, Engjëll Agaçi, Ema Çoku, Marko Kazani, Përparim Spahiu dhe Aurora Alimadhi.

Një tjetër kundërshtim i Kryemadhit lidhet me ekspertizën financiare për deklarimin e pasurisë. Ajo pretendon se ekspertimit i mungon dokumentacioni i nevojshëm dhe për këtë arsye ka kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së tij. Sipas ish-deputetes, duhet të sqarohet metodologjia dhe procedura e përdorur nga ekspertja gjatë përgatitjes së analizës financiare.

“Ne kemi konstatuar mungesë dokumentacioni, ndaj kërkuam të thirret ekspertja për të shpjeguar procedurën dhe metodologjinë që ka përdorur. Ne kërkuam pavlefshmërinë e ekspertizës financiare”, u shpreh ajo.

Kryemadhi kritikoi gjithashtu mënyrën se si është hartuar ekspertiza, duke pretenduar se ekspertja ka përfshirë në raport informacion që i është vënë në dispozicion nga organi i akuzës.

“Një eksperte financiare profesionale nuk mund të informojë organin e akuzës se deri ku shkojnë tabelat”, deklaroi Kryemadhi.