Instituti i Statistikave (INSTAT) ka kërkuar shtimin e 11 pozicioneve të reja të punës dhe një fond prej 20 milionë lekësh në buxhetin e vitit 2027, me synim përmirësimin e statistikave makroekonomike dhe rritjen e cilësisë së të dhënave statistikore.
Kërkesa u prezantua nga drejtorja e përgjithshme e INSTAT-it, Lantona Sado, gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Gjatë fjalës së saj, Sado bëri një bilanc të punës së institucionit gjatë vitit 2026, duke theksuar progresin në prodhimin statistikor, përmbushjen e detyrimeve që lidhen me integrimin evropian dhe përgatitjet për Censusin.
Megjithatë, ajo nënvizoi se vijimi i këtyre proceseve dhe përmbushja e objektivave për vitin e ardhshëm kërkojnë më shumë burime financiare, njerëzore dhe teknike.
Një nga prioritetet kryesore të INSTAT-it për vitin 2027 është përafrimi i statistikave makroekonomike me standardet evropiane të llogarive kombëtare, në përmbushje të rekomandimeve të Kuvendit.
Sipas Sados, institucioni ka vijuar punën për përmirësimin e llogaritjes së llogarive kombëtare, zgjerimin e transmetimit të të dhënave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Megjithatë, përmbushja e plotë e objektivave kërkon të dhëna më të plota, cilësi më të lartë dhe dokumentim më të detajuar metodologjik.
Për këtë arsye, kërkesa për 11 punonjës shtesë synon të përballojë rritjen e vëllimit të të dhënave dhe ngarkesën në përpunimin, verifikimin dhe analizimin e tyre, si dhe të mbështesë detyrimet që lidhen me Kapitullin 18 të integrimit evropian.
Ndërkohë, fondi shtesë prej 20 milionë lekësh është përfshirë në planifikimin buxhetor për vitin 2027 dhe lidhet edhe me rekomandimin nr. 8 të rezolutës së Kuvendit, për investimin në burime njerëzore profesionale, me qëllim garantimin e statistikave të pavarura dhe të besueshme.
Gjatë raportimit, drejtorja e INSTAT-it u ndal edhe te mungesat në burimet njerëzore. Aktualisht, institucioni ka 24 vende vakante, ndërsa largimet e punonjësve lidhen kryesisht me daljen në pension, kalimin në institucione të tjera dhe arsye personale.
Sipas Sados, niveli i qarkullimit të stafit mbetet i ngjashëm me atë të katër viteve të fundit. Ndërkohë, INSTAT po vijon përpjekjet për rekrutimin dhe zhvillimin profesional të punonjësve përmes trajnimeve dhe mundësive për ngritje në detyrë.
Aktualisht janë në proces pesë thirrje për plotësimin e vendeve vakante, ndërsa deri në fund të vitit parashikohen të hapen edhe procedura të tjera rekrutimi.
“Jemi duke punuar me intensitet dhe me transparencë të plotë”, deklaroi Sado, duke vënë në dukje se një nga sfidat kryesore mbetet tërheqja e profesionistëve me formim në ekonomi dhe statistikë.


