Për të nëntën ditë me radhë po vazhdon protesta për kërkimin e drejtësisë për vrasjen e Arlinda Zekajt, ndërsa protestuesit kanë bllokuar rrugën para stacionit policor në Prishtinë.
Protestuesit po kërkojnë përgjegjësi institucionale për rastin e 25 tetorit, kur Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj.
Vrasja e saj ndodhi pak ditë pasi ajo u kishte dërguar letër institucioneve, duke i paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Ajo ishte paraqitur edhe në Polici për të denoncuar ish-bashkëshortin për kanosje.
Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe protesta të vazhdueshme, me kërkesa për zbardhjen e përgjegjësisë së institucioneve që ishin njoftuar për rrezikun me të cilin përballej viktima.
Pas vrasjes, janë ndërmarrë edhe masa ndaj zyrtarëve policorë dhe prokurorëve të përfshirë në trajtimin e rastit.
Ndër zhvillimet e tjera është dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendimi i zyrtarëve policorë dhe prokurorëve.
Protestuesit po vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi për dështimet institucionale.