Humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit mund të sjellë ndryshime në administratën e Donald Trump. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, përmendet mes zyrtarëve që mund të largohen nga detyra, ndërsa në prapaskenë po qarkullojnë zëra se ai mund të synojë nominimin e partisë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Sipas gazetës britanike “The Independent”, e cila citon burime pranë Partisë Republikane dhe qeverisë britanike, Rubio po shqyrton mundësinë e dorëheqjes për t’u përgatitur për garën brenda partisë. Krahas drejtimit të Departamentit të Shtetit, ai mban edhe postin e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.
Rubio nuk është i vetmi emër që përmendet në këtë kontekst. Sipas burimeve të gazetës britanike, katër ose pesë zyrtarë të administratës Trump mund të largohen pas rezultatit të dobët elektoral të republikanëve, të cilët humbën terren si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat.
Një nga arsyet që përmendet për largimin e mundshëm të Rubios është edhe përpjekja për t’u distancuar politikisht nga lufta me Iranin dhe përgjegjësia e administratës amerikane për konfliktin. Edhe zëvendëspresidenti JD Vance ka lidhur rezultatin negativ të zgjedhjeve me luftën, duke e cilësuar atë si një nga faktorët kryesorë të humbjes së republikanëve.
Në mesin e republikanëve, si Rubio ashtu edhe JD Vance shihen si kandidatë të mundshëm për nominimin presidencial të vitit 2028. Megjithatë, Rubio ka mohuar më herët se ka një plan konkret për të hyrë në garë, duke deklaruar se është i përqendruar te përgjegjësitë e tij në administratë.
Pretendimet për dorëheqjen e mundshme të sekretarit amerikan të Shtetit janë kundërshtuar nga administrata Trump. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i kanë hedhur poshtë raportimet e “The Independent”.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, e cilësoi artikullin si përhapje të teorive konspirative të pabazuara, ndërsa Departamenti i Shtetit e quajti lajmin të rremë dhe të mbështetur në burime anonime të sajuara.
Deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për dorëheqjen e Marco Rubios apo për kandidimin e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.


