Kush e ngriti protestën? Qori, Lapaj dhe Shehaj përballë njëri-tjetrit

Cili është roli i partive të vogla në protestë? Kjo ishte tema e diskutimit në pjesën e dytë të emisionit “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.
Të ftuar në studio, krerët e partive të vogla, Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë, Agron Shehaj i Mundësia dhe Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet”, folën mbi rolin e forcave të tyre politike.
Sipas tyre, forcat politike kanë dhënë një kontribut të vogël në këtë lumë të madh qytetarësh që kanë dalë në shesh kundër qeverisë.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: A keni ju një rol në protestë? Çfarë mendoni, si është zhvilluar deri tani?
Lapaj: Komunikimi ynë i fundit ka qenë nga ai shesh. Në janar 2026, kur unë dhe të tjerë protestonim aty 24 orë në 24 për një kauzë për demokratizimin, qeveri tranzitore, dorëheqjen dhe shfuqizimin e Paketës së Maleve, nga ajo kohë e deri tani qytetarët janë shumë më shumë dhe kauza është zgjeruar.
Personalisht, unë dhe Lëvizja “Shqipëria Bëhet” kemi një rol si gjithë të tjerët. Mbështesim protestën, kemi një angazhim përmes thirrjeve publike, organizimit të strukturave, përfaqësimit në institucione dhe nxjerrjes së atyre që kemi nxjerrë. Pa diskutim që jemi angazhuar dhe pa diskutim që e kemi mbështetur. Ajo është një protestë që shkon përtej një kauze.
Shehaj: Kemi qenë pjesë e protestës, si gjithë partitë e reja politike. Nuk kemi qenë vetëm ne, kanë qenë edhe qytetarë të thjeshtë, pa parti, të cilët janë aty sepse duan të shprehin zemërimin e tyre kundër një qeverie të korruptuar.
Është një protestë historike, që po ndryshon skenën politike dhe do ta ndryshojë përgjithmonë. Askush nuk e priste. Këtu, në këtë studio, kemi diskutuar dhjetëra herë se ka një apati të përgjithshme, se Rama po dominon dhe është e pamundur të largohet. Kemi bërë teoritë nga më të ndryshmet, saqë në këtë studio, në njëfarë mënyre, më keni nxjerrë pak naiv.
Analistët mendonin se kjo Shqipëri nuk mund të ndryshojë. Protesta ua hapi sytë të gjithëve dhe tregoi se ndryshimi mund të vijë edhe në Shqipëri. Ky është vetëm fillimi, jemi përballë një ndryshimi historik.
Në zgjedhjet e vitit 2025 ndodhi një ngjarje historike. Kurrë më parë partitë e reja nuk kishin marrë kaq shumë vota. Pas protestës, sipas sondazheve dhe studimeve që ne bëjmë, partitë e reja janë më lart se PS-ja dhe PD-ja.
Qori: Ne, që prej fillimit të protestës, e kemi pezulluar aktivitetin partiak. Forcat tona mbështesin protestën. Kapitali më i madh është kapitali njerëzor.
Pavarësisht se ne kemi bërë të pamundurën, jemi një rrëke e vogël në një lumë të madh qytetarësh. Nuk më shkon mua të kërkoj merita.
Çfarë bën një parti para se lumi të dalë nga shtrati? Për mua, Lëvizja Bashkë kontributin më të madh e ka dhënë përpara se protestat të nisnin.
Ditën që ndodhi përplasja e tmerrshme me policinë private në Zvërnec, ku u rrëmbye një qytetar, që nga ai moment mori flakë Shqipëria dhe njerëzit u derdhën në rrugë.
Kush ka një sens të historisë, arrin të kuptojë se pushteti nuk është në avantazh. Rama, duke fituar në mënyrë brutale në vitin 2025, nisi të sharronte degën ku ishte ulur. Fitore si e Pirros tregoi se fundi ishte afër. Rama, pas vitit 2025, nuk kishte më asnjë justifikim.




