Kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur Taylor Swift u detyrua të anulonte koncertet e turneut të saj “Eras Tour” në Vjenë, pas zbulimit të një komploti terrorist që synonte të vriste dhjetëra mijëra njerëz. Tashmë, kjo ngjarje do të jetë në qendër të një dokumentari të ri.

Siç raportoi të enjten revista “Variety”, dokumentari “Taylor Swift Wien” po realizohet nën drejtimin e regjisorëve Andreas Pichler dhe Veronika Kaserer, ndërsa pritet të shfaqet premierë në tetor të vitit 2027. Pas transmetimit të parë në televizionin gjerman ZDF, dokumentari do të shpërndahet edhe në tregun ndërkombëtar.


Lajmi vjen disa muaj pasi njëri prej të dyshuarve, i identifikuar vetëm si Beran A., u dënua me 15 vjet burg për planifikimin e një sulmi ndaj fansave të Taylor Swift, në stadiumin Ernst Happel dhe përreth tij. Pikërisht aty këngëtarja ishte planifikuar të mbante tri koncerte të turneut “Eras Tour”, në gusht të vitit 2024.

Sipas hetimeve, i dyshuari kishte planifikuar t'i sulmonte fansat me thika ose eksplozivë të improvizuar. Me ndihmën e inteligjencës amerikane, autoritetet austriake arritën ta arrestonin atë dhe dy të dyshuar të tjerë të lidhur me komplotin, përpara se sulmet të realizoheshin. Megjithatë, koncertet u anuluan si masë parandaluese për të garantuar sigurinë publike.

Hetuesit zbuluan se, përpara se të planifikonin sulmet, tre të dyshuarit kishin shprehur besnikëri ndaj organizatës terroriste Shteti Islamik (ISIS), pasi ishin radikalizuar përmes internetit.

Kjo është njëra nga tri temat kryesore që do të trajtojë dokumentari. Sipas përshkrimit të tij, “Taylor Swift Wien” do të vërë në kontrast komunitetet ekstremiste dhe mizogjene në internet, ku bënin pjesë të dyshuarit, me “botën gjithëpërfshirëse dhe fuqizuese të fansave të Swift”, të njohur si “Swifties”.

Pavarësisht anulimit të koncerteve, shumë prej fansave u mblodhën në rrugët e Vjenës për të kënduar këngët e artistes, për të shkëmbyer byzylykë miqësie dhe për të gjetur mbështetje te njëri-tjetri, përballë një ngjarjeje që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi.

Një tjetër fokus i dokumentarit do të jenë hetimet e autoriteteve, të cilat do të paraqiten si një garë kundër kohës, si dhe mënyra se si ato arritën ta parandalonin komplotin terrorist.

“Anulimi i koncerteve tona në Vjenë ishte shkatërrues”, kishte shkruar Swift në një deklaratë të publikuar në Instagram, disa javë pas arrestimeve.

“Arsyeja e anulimit më mbushi me një ndjenjë të re frike dhe me një faj të jashtëzakonshëm, sepse kaq shumë njerëz kishin planifikuar të merrnin pjesë në ato koncerte. Por isha gjithashtu jashtëzakonisht mirënjohëse ndaj autoriteteve, sepse falë tyre, po përjetonim dhimbjen e anulimit të koncerteve dhe jo humbjen e jetëve. Më dha shpresë dashuria dhe uniteti që pashë te fansat, të cilët u bashkuan me njëri-tjetrin”, ishte shprehur këngëtarja.

Ylli i muzikës pop e ka trajtuar këtë komplot terrorist edhe në dokumentarin e saj me disa episode për platformën Disney+, “Taylor Swift: The End of an Era”.

“Ne i shpëtuam një masakre”, ishte shprehur ajo në dokumentarin e publikuar në dhjetor të vitit 2025, xhirimet e të cilit kishin nisur ndërsa Swift po përgatitej të performonte në Londër, më pak se një javë pas ngjarjeve në Austri.