21-vjeçari Eduart Xhani, me shtetësi italiane dhe origjinë shqiptare, ka pranuar dyshimet për vrasjen e nënës së tij, 39-vjeçares Meleqe Lusha, në banesën e tyre në Kiari të provincës së Breshias. Gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari hetues, i riu ka deklaruar gjithashtu se, përpara se të kryente krimin, kishte tentuar t’i jepte fund jetës.
Xhani u mor në pyetje në repartin e psikiatrisë së spitalit të Breshias, ku ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve. Sipas mediave italiane, përgjigjet e tij për arsyet që e çuan drejt këtij akti kanë qenë të paqarta dhe konfuze. Pas vlerësimeve të para mjekësore, ai u transferua nga burgu në repartin e psikiatrisë, ndërsa specialistët po ndjekin gjendjen e tij.
Ndërkohë, gjyqtari hetues ka rezervuar vendimin për vërtetimin e ligjshmërisë së ndalimit të 21-vjeçarit.
Ngjarja e rëndë ndodhi të martën në mbrëmje, rreth orës 21:00, në banesën e familjes në Kiari. Sipas dyshimeve të hetuesve, i riu ndodhej në kuzhinë me nënën e tij kur mori një thikë dhe e goditi disa herë në fytyrë dhe në kraharor, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas krimit, Xhani u largua me automjetin e tij tip Audi dhe për rreth dhjetë orë lëvizi nëpër provincat e Breshias dhe Kremonës. Ai kishte ende të veshura rrobat e ndotura me gjakun e nënës.
Të mërkurën në mëngjes, rreth orës 07:00, 21-vjeçari u paraqit në kazermën e karabinierëve në Kremona, ku i rrëfeu një efektivi atë që kishte ndodhur.
Sipas raportimeve të mediave italiane, i riu nuk kishte precedentë penalë dhe nga personat që e njihnin përshkruhej si një djalë i heshtur dhe i mbyllur në vetvete.


