Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë marrëveshjen e Partneritetit Strategjik për Sigurinë Energjetike. Ky projekt parashikon një investim prej 6 miliardë dollarësh në Vlorë, për furnizimin e Europës Jugore me gaz të lëngshëm nga SHBA-të.
Analisti Neritan Sejamini, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Opinion”, në Tv Klan, ka dhënë detaje lidhur me këtë kontratë, duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën e Shqipërisë për të importuar gaz të lëngshëm nga Greqia, në një kohë kur vendi nuk ka as rrjet të mirëfilltë shpërndarjeje dhe as konsum të konsiderueshëm të gazit.
“6 miliardë total. Qeveria shqiptare, për ta pasur mirë me ambasadoren apo për t’u afruar me administratën Trump, nënshkroi një kontratë për të marrë gaz të lëngshëm nga Greqia, kur ne s’kemi nga ta çojmë gazin, s’kemi as rrjet gazi, as nuk kemi konsum gazi. E morëm sa për t’i bërë nder dhe bëmë një kontratë me idenë që po e shkruajmë kontratën, sa të ikë Trumpi, po e grisim kontratën.
Ndërkohë, që “Wall Street Journal”-i, e cila e hapi gjithë historinë e ambasadores (amerikane në Greqi), kishte një artikull që nuk pati jehonë në Shqipëri çuditërisht, ku kompania Aktor, që ka lidhur kontratën me Albgaz-in shqiptar, ka thënë që qeveria shqiptare dhe Albgaz-i do t’i qëndrojnë kontratës, ndryshe venë në arbitrazh. Pra, në qoftë se ne nuk do t’i blejmë tani në vitin 2030 për nja 20 vjet gaz nga Aktor, na çon në arbitrazh dhe Aktor-i na ka marrë 40 e ca milionë euro në arbitrazh para marrëveshjes”, tha ai.
I pyetur se ku do të shkojë gazi i lëngshëm që Shqipëria do të marrë nga Greqia, Sejamini dha një përgjigje ironike, duke iu referuar edhe Kosovës.
“Do e çojmë në Kosovë. Albini s’e merr nga amerikanët, do e marrë nga Tirana, me bidona”, tha ai.
Kujtojmë se më 28 prill, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi, Kimberly Guilfoyle, kreu një vizitë në Shqipëri, ku dhe u nënshkrua kjo kontratë e rëndësishme në sektorin e energjisë.











