Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk është stabile pavarësisht se i ka 62 deputetë në Kuvend, të cilët e mbështesin.
Sipas tij, mbështetja e ngushtë parlamentare e bën kryeministrin të përballet me kërkesa të vazhdueshme nga deputetët, përfshirë edhe ata të komuniteteve joshumicë, të cilët, sipas Tahirit, po kërkojnë më shumë pozita ministrore.
Duke folur për funksionimin e qeverisë, Tahiri ka thënë se Kurti nuk është në pozitë komode, pasi shumica prej 61 deputetësh nënkupton se secili prej tyre mund të ketë kërkesa të veçanta.
“Kurti nuk është komod. Nuk i ka të gjithë numrat, i ka 61 deputetë, qeverisja me 61 vota është qeverisje me 61 kryeministra, sepse secili e ka nga një kërkesë. Atij veç i kanë filluar kërkesat”, ka deklaruar Tahiri të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Tahiri ka thënë se Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet ta kuptojnë se për të arritur rezultate të mëdha nevojitet bashkëpunim me partnerë politikë dhe një ekip më i gjerë.
Edhe
Tahiri: Kjo qeveri kujton se zhvillimi gjenerohet me ligje copy-paste
Ai ka kritikuar edhe përbërjen aktuale të kabinetit qeveritar, duke i cilësuar ministrat ndër më të dobëtit.
“Kurti duhet ta kuptojë që për të arritur për të bërë diçka të madhe, duhet bërë me një partner. Nuk po them me Aleancën, nuk po kërkoj koalicion. Ne në fakt kemi pasur qëndrim të prerë. Mendojmë se ky koncept qeverisës se si është tash, me këtë ekip të ministrave, janë ndër ministrat më të dobët”, ka theksuar ai.
Tahiri ka folur edhe për gjendjen e opozitës, duke thënë se nuk është i kënaqur me mënyrën se si po funksionon ajo, as në të kaluarën dhe as gjatë zhvillimeve të fundit politike.
Megjithatë, ai ka shprehur shpresën se Raporti i Progresit mund të shërbejë si një momentum për bashkimin e opozitës.
“Shkelja, përmbysja, mostrajtimi, besimi është papërgjegjësi. Nuk jam i kënaqur se si po funksionon opozita, as nuk kam qenë i kënaqur as në të kaluarën, as nuk kam qenë i kënaqur në shkurt kur është dashur ta themelojmë qeverinë opozita, s’ka ndodhur. Po flas për shkurtin e kaluar. Shkuam në zgjedhje, për çka shkuam në zgjedhje? Ja erdhëm në zgjedhje, është ditur që nuk ndryshon elektorati kaq shpejt. PDK-ja nuk është në situatë të lehtë. LDK-ja i kanë edhe ata tani proceset zgjedhore. Unë po shpresoj që një momentum të mirë e kemi Raportin e Progresit. Ne e kemi diskutuar tri grupet parlamentare dhe besoj që javën e ardhshme do të kemi debat përmbajtësor me 40 nënshkrime dhe kjo është nisja e parë e përbashkimit të opozitës nëse arrijmë të shkojmë me 40 nënshkrime”, është shprehur ai.
Tahiri: Ligji për Specialen është dashur të hyjë në fuqi, s’e kemi kasavet presionin ndërkombëtar
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se Ligji për Gjykatën Speciale është dashur të miratohej dhe të hynte në fuqi, edhe nëse kishte mangësi që mund të adresoheshin përmes amendamentimit në një proces të mëvonshëm.
Edhe
Aleanca bën thirrje që të votohet ndryshimi i Ligjit për Speciale edhe në lexim të dytë
Ai ka shtuar se presioni ndërkombëtar nuk duhet të jetë pengesë për mbështetjen e këtij procesi.
Tahiri ka vlerësuar se ligji përbënte një mundësi për Kosovën që të ndërmerrte veprime konkrete në trajtimin e çështjes së ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas tij, edhe në rast se ligji do të kishte të meta, ato mund të korrigjoheshin përmes ndryshimeve të mëvonshme, por jo të tërhiqej nisma.
“Ne besojmë që ai ligj është dashur të kalojë, të hyjë në fuqi edhe nëse kishte pasur të meta, të amendamentohej në një proces tjetër, por jo të tërhiqej. Pra, amendamentimi si proces mund të ekzistojë gjithmonë”, ka deklaruar Tahiri të enjten në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Ai është shprehur se nuk e shqetëson presioni ndërkombëtar lidhur me këtë çështje, duke theksuar se për katër ish-krerët e UÇK-së janë shqiptuar gjithsej 81 vjet burgim.
“Edhe unë, edhe ne nuk e kemi hiç kasavet këtë punën e presionit ndërkombëtar. 81 vjet burg i kanë marrë këta katër burra”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, shteti i Kosovës duhet të tregojë efektivitet dhe efikasitet në trajtimin e kësaj çështjeje, të cilën e ka cilësuar si shumë problematike.
Edhe
Tahiri: Ta thërrasim mendjen e përgjegjësinë për Ligjin për Specialen
Ai ka ritheksuar se ligji do të mund të ndryshohej edhe pasi të hynte në fuqi, ndërsa ka shprehur mbështetjen e tij për vazhdimin e këtij procesi.
“Do t’i shkojmë plotësisht deri në fund në mbështetje të një procesi që ne mendojmë se është i drejtë”, ka deklaruar Tahiri.