Tregjet amerikane shënuan rënie të forta të enjten, në një nga ditët më të vështira për Wall Street-in. Vlera e humbur në treg arriti në 3.2 trilionë dollarë.
Bursa e Nju Jorkut u godit nga shitja masive e aksioneve prej investitorëve, sidomos e atyre të kompanive të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Aksionet e këtyre kompanive ranë për të dytën ditë radhazi.
Të lidhura
None found
Indeksi Industrial Dow Jones humbi 3.44% dhe u mbyll në 51,521.28 pikë. S&P 500 zbriti me 4.3%, në 7,353.80 pikë, ndërsa Nasdaq shënoi rënien më të thellë, prej 5.52%, duke përfunduar në 24,315 pikë.
Kjo rënie zhduku fitimet e konsiderueshme të arritura pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA. Pasiguria në tregje u shtua edhe nga shqetësimet se zgjerimi i qendrave të të dhënave mund të ngadalësohet.
Investitorët po vënë gjithnjë e më shumë në dyshim ritmin e investimeve në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, veçanërisht për ndërtimin dhe zgjerimin e qendrave të të dhënave.
Në klimën e tregjeve ka ndikuar edhe rezultati politik në SHBA. Frika se një fitore e thellë e demokratëve mund të pengojë ose të vonojë projektet për zgjerimin e qendrave të të dhënave ka rritur presionin mbi aksionet e këtij sektori.








