Jo vetëm Ukraina, Trumpi paralajmëron marrëveshje që prek gjithë Evropën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje e mundshme për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës mund të përfshijë edhe vende të tjera evropiane, madje potencialisht të gjithë kontinentin.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi tha se konflikti mund të marrë fund së shpejti, por nuk zbuloi detaje rreth përmbajtjes së planit.
Deklaratat e tij erdhën pas një takimi me Kirill Dmitrievin, të dërguarin special të presidentit rus, Vladimir Putin, shkruan nytimes.
“Do të përfshijë më shumë sesa Ukrainën. Madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën”, deklaroi Trumpi.
Ndërkohë, dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, bëri të ditur se synimi i SHBA-së është të adresojë shqetësimet e sigurisë të të gjitha palëve, përmes zgjidhjeve praktike që do të parandalonin shpërthimin e konflikteve të reja.
Në kuadër të zhvillimeve diplomatike, Zonja e Parë amerikane, Melania Trump, zhvilloi gjithashtu një takim në Shtëpinë e Bardhë me zyrtarë rusë dhe ukrainas, lidhur me një armëpushim humanitar në qytetin Oleshky, në rajonin e Khersonit.
Megjithatë, Trumpi nuk ka dhënë hollësi se cilat vende evropiane mund të përfshihen në marrëveshjen e mundshme dhe çfarë do të përmbajë konkretisht plani për përfundimin e luftës. /Telegrafi/









































