Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka konfirmuar se synon të marrë drejtimin e partisë.
E ftuar të enjten mbrëma në emisionin “Pressing” në T7, ajo tha se është e interesuar të kandidojë, “kurdo që janë” zgjedhjet e brendshme. Ende nuk është përcaktuar një datë për mbajtjen e tyre.
Të lidhura
None found
Bajrami është kandidatja e tretë që e ka bërë publik synimin për të marrë kreun e LDK-së. Përparim Rama e shpalli kandidaturën në tetor dhe i kërkoi Abdixhikut të jepte dorëheqje. Edhe deputeti Arben Gashi konfirmoi të enjten në Kanal 10 se do të hyjë në garë. Abdixhiku ka thënë se mandati i tij në krye të partisë përfundon në nëntor 2027.
Deputetja ka qenë ndër kritiket më të zëshme të drejtimit aktual të LDK-së. Më parë, ajo dha dorëheqje nga posti i nënkryetares dhe kërkoi largimin e Abdixhikut.
Gjatë emisionit, Bajrami kritikoi edhe Qeverinë Kurti për sektorin e energjisë, të cilin e cilësoi si shembullin më të qartë të keqqeverisjes. Duke iu referuar të dhënave të Doganës, ajo tha se nga janari deri në shtator Kosova ka importuar energji elektrike me vlerë 182 milionë euro. Sipas saj, qytetarët do ta paguajnë këtë kosto përmes faturave.
Zgjerimi i garës për drejtimin e LDK-së vjen ndërsa edhe PDK-ja mbetet pa kryetar të zgjedhur, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës në tetor.







