Shtëpia e Bardhë ka mohuar zërat për largimin e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.
Presioni është përqendruar veçanërisht te kreu i Pentagonit, për mënyrën si ka drejtuar luftën me Iranin. Presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance e kanë cilësuar konfliktin si shkak të humbjes në zgjedhje, që u dha demokratëve kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Por pavarësisht kritikave, Trump ka shprehur mbështetjen për Hegseth duke thënë se synon ta mbajë në detyrë dhe se sekretari i Mbrojtjes ka bërë një punë fantastike.
Në një videomesazh, Hegseth mbrojti bilancin e punës së tij në krye të Pentagonit. Ai renditi rritjen e rekrutimeve në ushtri, rindërtimin e industrisë së mbrojtjes dhe heqjen e programeve për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen. Sipas tij, sulmet politike vijnë pikërisht për shkak të këtyre ndryshimeve.
Kreu i Pentagonit mbrojti edhe luftën me Iranin, duke e cilësuar një përpjekje historike për të penguar Teheranin të pajiset me armë bërthamore. Ai i kërkoi Kongresit të miratojë të paktën 350 miliardë dollarë për ushtrinë.
“Pavarësisht se çfarë mendojnë njerëzit për luftën, të cilën unë e konsideroj një përpjekje të guximshme dhe historike që do të sigurojë se Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore, ne duhet të vazhdojmë rindërtimin e ushtrisë sonë, ashtu siç bëri presidenti Trump në mandatin e tij të parë. Kjo kërkon financim. Na duhet një investim për brezat që vijnë, një paketë buxhetore prej të paktën 350 miliardë dollarësh, për ta mbajtur vendin tonë shumë përpara të tjerëve në një botë të rrezikshme. Na duhet vota e çdo anëtari patriot të Kongresit. Na sulmojnë sepse jemi të efektshëm. Nuk do t’ia dalin. Ne nuk do të tërhiqemi”, tha ai.
Ndërkohë, kongresmeni republikan Thomas Massie, kritik i shpeshtë i Trumpit, ka paralajmëruar se në fillim të javës së ardhshme do të kërkojë hedhjen në votim të nismës për shkarkimin e Hegseth.
Massie i ka bërë thirrje presidentit ta zëvendësojë përpara janarit, kur Kongresi i ri, i kontrolluar nga demokratët, të nisë punën. Sipas tij, Trump duhet të veprojë sa kohë mund të sigurojë ende miratimin e pasuesit në Senat.
Hegseth e cilësoi nismën një përpjekje për ta goditur personalisht dhe u shpreh i bindur se ajo do të dështojë. Duke e krahasuar me dy proceset për shkarkimin e Trumpit, ai tha se kundërshtarët nuk do të arrijnë ta largojnë nga detyra.
“Një kongresmen i pakënaqur, që ka humbur zgjedhjet, bashkë me të gjithë aleatët e tij demokratë, ka paraqitur akuza të sajuara për shkarkimin tim, ashtu siç u përpoqën të bënin dy herë me presidentin Trump. Politikat e tyre nuk funksionojnë. Prandaj, fiksimi i tyre pas teatrit politik, të maskuar si ushtrim pushteti, i shtyn të përpiqen të shkatërrojnë kundërshtarët. Gjithçka ka të bëjë me goditjen personale të kundërshtarit. Nuk funksionoi kundër presidentit Trump dhe nuk do të funksionojë as kundër meje. Për këtë mund të jeni të sigurt”, vijoi ai.
Ndërsa Marco Rubio mohoi raportimet se po shqyrton largimin nga posti për të përgatitur një kandidim në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Për “The Neë York Times”, sekretari i Shtetit tha se plani i tij ka qenë gjithmonë të punojë me Trumpin deri në fund të mandatit. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i cilësuan lajme të rreme zërat për largimin e tij.









Komente
Komento