Ka rezultuar tepër e vështirë përballja e Egnatias kampione të Shqipërisë me Craiova-n në Rumani për fazën e grupit të Conference League. Të besuarit e Nevil Dedes, në ndeshjen e tretë të grupit, u mposhtën me rezultatin 2-0, teksa të dy golat erdhën në pjesën e parë.

Rezultatin do ta zhbllokonte Cicaldau, por pas shumë peripecishë për Egnatian. Rrogozhinasit fillimisht pretenduan për pozicion jashtë loje e më pas për një faull gjatë ndërtimit të aksionit. Pavarësisht diskutimeve të shumta të kapitenit Albano Aleksit, gjyqtari pas konsultimit me VAR e akordoi gol.

Në vijim kapiteni i rumunëve Bancu do të dyfishonte shifrat me një supergol nga jashtë zone. Rezultati mund të kishte qenë më i thellë në rast se portieri Dajsinani nuk do të kishte bërë disa pritje vendimtare. Në fund rumunët ironizuan shqiptarët për shkak të një postimi që Egnatia bëri në rrjetet sociale teksa mbërriti në Craiova. Rumunët e morën si provokim. Madje disa tifozë thanë se shqiptarët kanë dashur ti quajnë ciganë, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes futbollisti Paundur tha se ‘lojtarët e Egnatias luanin njësoj sikur po zbrisnin nga avioni’. Madje sipas tij disa ishin të shëndoshë dhe kishin vështirësi të vraponin në fushë.

Me humbjen ndaj Craiova-s Egnatia del nga zona e kualifikimit në Conference League. Aktualisht kampionët e Shqipërisë mbajnë vendin e 26 me 2 pikë, ndërsa dueli i ardhshëm është kundër skuadrës nga Gjibraltari Lincoln.