Gjiganti gjerman Draexlmaier mbyll fabrikën në Serbi, preken rreth 1,100 punonjës

Prodhuesi gjerman i komponentëve për industrinë automobilistike, Draexlmaier, do të mbyllë fabrikën e prodhimit të kabllove për automjete në qytetin Zrenjanin, në veri të Serbisë, deri në fund të marsit 2027, pasi nuk ka arritur të sigurojë projekte të reja për këtë njësi prodhimi, raportoi agjencia e lajmeve Beta, sipas SeeNews.
Projektet ekzistuese në fabrikë do të ndërpriten deri në fund të janarit, duke prekur rreth 85% të 1,100 punonjësve të saj. Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi që drejtuesit e kompanisë u kanë dërguar punonjësve.
Draexlmaier nisi prodhimin në Serbi në vitin 2008 dhe që atëherë e ka zgjeruar disa herë fabrikën në Zrenjanin.
Në fillim të këtij viti, Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Industrisë Metalurgjike të Serbisë (SSMS) paralajmëroi se industria vendase e automobilave po përballet me një rënie të fortë të prodhimit dhe shkurtime masive të vendeve të punës, për shkak të kërkesës së dobët në tregun europian.
Sipas sindikatës, gjatë vitit 2025, gjithsej 12,640 punonjës të sektorit automobilistik u dërguan në leje të paguar, me kompensim sa 60% e pagës mujore, për periudha që tejkalonin kufirin ligjor prej 45 ditësh pune. Gjithashtu, më shumë se 6,000 punonjës u pushuan nga puna, përfshirë edhe punonjës të Draexlmaier.
Pavarësisht vështirësive të sektorit, filiali serb i kompanisë, DAD Draxlmaier Automotive, raportoi për vitin 2025 të ardhura prej 7.4 miliardë dinarësh (63 milionë euro) dhe fitim neto prej 169 milionë dinarësh.
Një vit më parë, kompania kishte realizuar të ardhura prej 6.9 miliardë dinarësh dhe fitim neto prej 106 milionë dinarësh, sipas pasqyrave financiare vjetore.
E themeluar në vitin 1958, Draexlmaier Group renditet ndër 100 furnizuesit më të mëdhenj të industrisë automobilistike në botë. Grupi operon në më shumë se 60 vendndodhje, në mbi 20 shtete, dhe punëson rreth 60,000 persona në nivel global.
Në vitin 2025, grupi realizoi shitje prej 5 miliardë eurosh. Në rajon, përveç Serbisë, Draexlmaier është i pranishëm edhe në Moldavi, Maqedoninë e Veriut dhe Rumani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









