Cristiano Ronaldo është një prej figurave më të mëdha dhe njëkohësisht më të debatueshme të futbollit botëror. Karakteri i fortë, ambicia e pakompromis, kujdesi për imazhin dhe episodet e shumta të tensionit në fushë kanë krijuar shpesh perceptime të ndryshme për yllin portugez. Por pas figurës së futbollistit që kërkon gjithmonë të fitojë, ekziston edhe një anë tjetër, shumë më pak e ekspozuar: ajo e një njeriu që ka përdorur famën, pasurinë dhe ndikimin e tij për të ndihmuar të tjerët.
Në një material të publikuar pas njoftimit për tërheqjen e tij nga kombëtarja portugeze, gazeta britanike ‘The Sun’ rendit 27 arsye për ta admiruar Ronaldon, duke vënë në qendër veprimtarinë e tij humanitare dhe gjestet e bamirësisë që kanë shoqëruar karrierën.
Një prej veçorive më interesante të portugezit është fakti se nuk ka tatuazhe në trup. Kjo nuk lidhet me preferencat estetike, por me dëshirën për të dhuruar gjak rregullisht.
Ronaldo ka qenë pjesë e fushatave sensibilizuese, përfshirë iniciativën “Be The 1”, për të nxitur sa më shumë njerëz të bëhen dhurues gjaku. Ai ka kontribuar gjithashtu me dhurimin e palcës së kockave, pasi ish-shoku i tij i skuadrës, Carlos Martins, tregoi se djali i tij kishte nevojë për një dhurues.

Por ky është vetëm një prej shumë episodeve që tregojnë anën njerëzore të pesë herë fituesit të Topit të Artë.
Një nga gjestet më të veçanta lidhet me trofetë e tij. Në vitin 2011, pasi fitoi Këpucën e Artë europiane me 40 gola për Real Madridin, Ronaldo vendosi ta nxirrte në ankand trofeun. Shuma prej 1.2 milionë paundësh u përdor për ndërtimin e shkollave në Gaza.
Në vitin 2017, ai nxori në ankand edhe Topin e Artë të vitit 2013, duke siguruar 530 mijë paundë për fondacionin Make-A-Wish.

Gjatë karrierës, portugezi ka mbështetur edhe institucione shëndetësore. Në vitin 2020, së bashku me agjentin Jorge Mendes, kontribuoi me rreth një milion paundë për spitalet në Portugali gjatë pandemisë së COVID-19.
Ai ka ndihmuar gjithashtu qendrën që trajtoi nënën e tij, Dolores Aveiro, e cila kishte kaluar një betejë me kancerin e gjirit, duke dhuruar rreth 120 mijë paundë.
Një tjetër histori prekëse është ajo e Nuhazet Guillen, një fëmijë me kancer në fazë terminale. Ronaldo e ftoi në stadiumin ‘Santiago Bernabéu’, i dedikoi një gol dhe më pas mbuloi shpenzimet për trajtimin eksperimental në Shtetet e Bashkuara, si dhe medikamentet e kujdesin e tij për më shumë se një vit.

Ai dhe partnerja Georgina kanë ndihmuar gjithashtu fëmijë të tjerë me sëmundje të rënda, përfshirë të riun portugez Tomas, që kishte nevojë për trajtim kundër kancerit.
Humanizmi i tij është shfaqur edhe në raste fatkeqësish natyrore. Pas tërmeteve në Turqi dhe Siri, Ronaldo organizoi dërgimin e një avioni me çadra, batanije, ushqime dhe materiale mjekësore.

Ndërsa pas përmbytjeve shkatërruese në Spanjë, në vitin 2024, ai dhe Georgina ndihmuan familjet e prekura me furnizime dhe pajisje shtëpiake.
Në vitin 2024 u krijua edhe Fondacioni CR7, i fokusuar te edukimi dhe shëndeti i të rinjve, përmes bursave dhe programeve sportive.
Së fundmi, edhe klubi Almeria, ku Ronaldo është bashkëpronar, njoftoi se të ardhurat nga biletat e një ndeshjeje me Tenerifen do t'i dhurohen familjes së futbollistit Jesús de Miguel, i cili humbi jetën pas një përplasjeje në fushë.

Këto histori nuk e fshijnë anën polemike të Ronaldos, por tregojnë se përtej rekordeve, trofeve dhe miliona eurove, ai ka lënë gjurmë edhe përmes ndihmës ndaj njerëzve në momente të vështira. Një trashëgimi që nuk matet me gola apo Topa të Artë.
© SYRI.net
Emëroi si ambasadore një aktore pornografike, Leicester City reagon ndaj vendimit të sponsorit kryesor
Atletico Madrid gjen pasuesin e mundshëm të Oblak, në radar portieri 22-vjeçar i River Plate
Hamilton shfaqet me një orë luksoze prej 600 mijë paundësh, por bizhuteritë e Kim Kardashian kushtojnë shumë më tepërBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: