Ambasadori i ri amerikan përcjell mesazhin e parë për shqiptarët: Më të fortë dhe më të begatë së bashku

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka përcjellë mesazhin e tij të parë përmes një videoje të publikuar në platformën X, ku ka prezantuar prioritetet që do të udhëheqin punën e tij diplomatike në vendin tonë.
Wendt shprehet se mezi pret të takohet me përfaqësues të politikës dhe qytetarë shqiptarë, me të cilët do të diskutojë mënyra të reja për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve.
Në mesazhin e tij, ambasadori thekson se angazhimi i përbashkët do të përqendrohet në tri fusha kryesore, të cilat sjellin përfitime si për Shqipërinë, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara.
“Mezi pres të takohem me përfaqësues të politikës dhe qytetarë shqiptarë. Së bashku do të diskutojmë mënyrat tradicionale dhe do të krijojmë qasje të reja e krijuese për të bashkëpunuar në mënyrë efektive për të ardhmen”, shprehet Wendt.
Më tej, ai rendit tri prioritetet e tij, forcimin e mëtejshëm të të dy vendeve, rritjen e begatisë dhe garantimin e më shumë sigurisë.
“Fokusi ynë do të jetë në tri fusha prioritare, me përfitim të ndërsjellë për SHBA-në dhe Shqipërinë: së pari, të bëhemi edhe më të fortë; së dyti, të bëhemi më të begatë; dhe së treti, të bëhemi më të sigurt”, thekson ambasadori amerikan.
Mesazhi i Eric Wendt vjen në kuadër të nisjes së angazhimit të tij diplomatik në Shqipëri. Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik dhe siguria pritet të jenë ndër çështjet kryesore të punës së tij gjatë mandatit në Tiranë.




