Pica nuk duhet të jetë pjesë e menusë së mensave shkollore në Rusi. Këtë qëndrim ka mbajtur Elena Yampolskaya, këshilltare e presidentit Vladimir Putin, e cila argumenton se ky ushqim nuk është i shëndetshëm për fëmijët dhe duhet të zëvendësohet me gatime tradicionale ruse. Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, Yampolskaya ka propozuar që pica të zëvendësohet me kulebyaka, një byrek tradicional rus me mbushje të ndryshme. Ajo ka theksuar se shkollat duhet të promovojnë trashëgiminë gastronomike të vendit dhe t’u japin fëmijëve mundësinë të njohin kuzhinën tradicionale ruse.
“Pica absolutisht nuk është një ushqim që duhet të jetë i disponueshëm në shkolla. Nuk është e mirë për shëndetin e nxënësve. Është një gjë që një fëmijë ta hajë diku me lejen e prindërve të tij, ndoshta për të festuar diçka, por është një gjë tjetër që pica të jetë e disponueshme në mensën e shkollës. Jam shumë e befasuar që kjo është e mundur”, u shpreh ajo.
Debati është nxitur edhe nga një reagim i propagandistit pro-Kremlinit Vitaly Borodin, i cili e ka cilësuar picën si “fuqi e butë perëndimore në një kuti kartoni”. Në një postim në Telegram, ai ka kërkuar që shkollat dhe universitetet të heqin picën nga menutë dhe t’u japin përparësi gatimeve vendase. Borodin ka pretenduar se të rinjtë rusë nuk i njohin më gatimet tradicionale të vendit të tyre, duke kërkuar që institucionet arsimore të promovojnë më shumë kulturën gastronomike ruse.