Nga: Thomas G. Moukawsher / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Dështimi i republikanëve për t’iu kundërvënë presidentit Donald Trump e ka afruar vendin me një shtet totalitar, duke i lejuar atij të bëjë, në masë të madhe, çfarë ka dashur. Pasi kanë marrë kontrollin e Kongresit, demokratët tani duhet t’i rezistojnë tundimit për t’u hakmarrë dhe, në vend të kësaj, të përqendrohen në rivendosjen e sistemit të kontrolleve dhe ekuilibrave të demokracisë amerikane dhe në dëshmimin se mund të qeverisin me përgjegjësi.


Presidenti Donald Trump do ta ruajë fuqinë për veton ndaj përpjekjeve të demokratëve për të rivendosur ekuilibrin mes degës ekzekutive dhe asaj legjislative. Është e mundur që mjaft republikanë, në mjaft raste, të kenë marrë mësim nga teprimet e Trumpit dhe t’u bashkohen demokratëve për të siguruar dy të tretat e votave në Kongres të cilat nevojiten për t’i rrëzuar vetot presidenciale dhe për të rivendosur sundimin e ligjit. Por, demokratët nuk mund të mbështeten në këtë dhe ka mjaft vende të sigurta republikane që ka të ngjarë ta pengojnë një bashkëpunim rutinë dypartiak të këtij lloji të jashtëzakonshëm.

Pra, le të supozojmë se Trumpi mund t’i frikësojë ose t’i mbajë në anën e vet të paktën 34 senatorë, teksa demokratët ngjiten në pushtet në Uashington. Kjo mund të nënkuptojë një përplasje të shëmtuar pas tjetrës. Demokratët do të përpiqen të rimarrin pushtetin për tatimet dhe shpenzimet që Trumpi e minoi duke refuzuar të shpenzonte paratë e caktuara nga Kongresi dhe duke përdorur tarifat për të rritur të ardhurat në kurriz të konsumatorëve. Trumpi do të bëjë veto ndaj këtyre masave, bashkë me legjislacionin kundër korrupsionit që synon ta frenojë prirjen e tij për ryshfet, zhvatje dhe shitjen e politikës së jashtme amerikane te ofertuesit më të lartë. Do të ketë përplasje për buxhetin. Trumpi mund të tërhiqet në momente kyçe, por çfarëdo që të bëjë, si zakonisht, është fjala për të dhe tekat e tij.

Përballë tyre, Kongresi ka një rrugë më të qëndrueshme: gjykatat. Arsyeja kryesore pse Trumpi ka shpëtuar prej pasojave për një pjesë të madhe të sjelljes së tij antikushtetuese lidhur me tatimet dhe shpenzimet është se Kongresi, i udhëhequr nga republikanët, e ka lënë t’ia dalë pa pasoja. Disa nga viktimat individuale të Trumpit e kanë paditur dhe i kanë fituar përsëri paratë të cilat Kongresi i kishte caktuar për ta, por të tjerët kanë vuajtur nga vendimet e ndërlikuara që gjykatat kanë dhënë lidhur me atë se kush mund të padisë, kur mund të padisë, ku mund të padisë dhe në cilën gjykatë mund të padisë. Disa demokratë janë përpjekur ta çojnë Trumpin në gjykatë, por gjykatat mbajnë një qëndrim shumë të ngushtë ndaj përpjekjeve të anëtarëve individualë të Kongresit për të ngritur padi me synimin për të mbrojtur kompetencat e institucionit në tërësi.

Por, tani demokratët e kontrollojnë institucionin në tërësi dhe kjo paraqet një situatë shumë të ndryshme në gjykatë. Kongresi mund të votojë për të ngritur padi kundër presidentit dhe ai nuk mund t’i pengojë që ta padisin. Paditë e shumta mund ta zgjidhin çekuilibrin e tanishëm mes degëve të pushtetit. Deri tani, vendi ka anuar drejt totalitarizmit, sepse askush që kishte fuqinë të bënte diçka për këtë, nuk i është kundërvënë Trumpit. Çështjet gjyqësore të ngritura nga Kongresi, të çliruara nga dilema e vetos, mund të çojnë në vendime që shpallin se anulimi nga Trumpi i shpenzimeve të urdhëruara nga Kongresi - për gjëra të tilla si kërkimet mjekësore dhe parandalimi i përhapjes së sëmundjeve në mbarë botën - ishte i paligjshëm dhe se tani duhet të zhbëhet. Po ashtu, mund të përcaktojnë se pushteti për të vendosur tatime i takon Kongresit dhe se shpërdorimi nga Trumpi i kompetencës për tarifat ndërhyn në fushën e tij të autoritetit.

Paditë nuk kanë pse të jenë për hakmarrje. Jo nëse synojnë çështjet e duhura. Ajo që na duhet është ta kemi përsëri demokracinë tonë - një Kongres të gjallë dhe veprues, që respekton rolin e vet në hartimin e ligjeve dhe që, në përputhje me Kushtetutën, e kufizon presidentin në zbatimin e atyre ligjeve. Kjo nuk është hakmarrje; kjo ka të bëjë me rivendosjen e Amerikës që njihnim dhe donim. Nëse demokratët mund të tregojnë se dinë sërish t’i përmbushin premtimet themelore të vendit - se nuk janë thjesht një grup servilësh të paskrupullt që zë vendin e një grupi tjetër - ata jo vetëm që mund ta ushtrojnë pushtetin tani, por mund të jenë në gjendje ta ruajnë atë edhe në të ardhmen e parashikueshme. /Telegrafi/