Një nënë e re e dy fëmijëve ka humbur jetën në rrethana tragjike në Brazil, pasi një dritare hoteli ku ishte mbështetur u shkëput nga vendi, duke bërë që ajo të rrëzohej nga një lartësi prej shtatë katesh. Ngjarja, e regjistruar nga kamerat e sigurisë, është duke u hetuar nga autoritetet braziliane.
Viktima, Renata Rebeca Negrão Saldanha dos Santos, 26 vjeçe, ndodhej në hotelin Rio Poty, në qytetin São Luís, kur ndodhi aksidenti fatal. Sipas raportimeve të mediave vendase, gjithçka ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit të së martës.
Regjistrimet e kamerave të sigurisë tregojnë të renë duke lëvizur në korridorin e katit të shtatë, e shoqëruar nga partneri i saj. Në një moment, ajo ndalon pranë një dritareje dhe mbështetet fillimisht në murin ngjitur me të.
Pak sekonda më vonë, 26-vjeçarja vendos peshën e trupit mbi dritare, por struktura prej alumini nuk e përballon dhe shkëputet papritur, duke e rrëzuar të renë jashtë ndërtesës.
Pamjet tregojnë gjithashtu reagimin e partnerit të saj, i cili mbetet për disa çaste i palëvizur përballë hapësirës së krijuar nga shkëputja e dritares. Më pas ai afrohet për të parë poshtë, ndërsa një punonjës i hotelit shkon në korridor pasi dëgjon zhurmën e fortë.
Sipas informacioneve të publikuara, e reja përfundoi mbi tendën e vendosur në hyrje të hotelit. Ekipet e emergjencës ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, por plagët e marra nga rënia rezultuan fatale.
Policia braziliane nisi menjëherë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Partneri i viktimës u shoqërua për t’u marrë në pyetje dhe më pas u la i lirë. Gjatë dëshmisë, ai pranoi se kishte konsumuar alkool përpara incidentit.
Megjithatë, nga shqyrtimi paraprak i provave dhe pamjeve filmike, hetuesit nuk kanë konstatuar elemente që të tregojnë se 26-vjeçarja ishte shtyrë apo se ndaj saj ishte ushtruar dhunë.
Drejtuesi i hetimeve, George Marques, sqaroi se në momentin kur ndodhi rrëzimi, partneri i viktimës nuk ndodhej pranë saj dhe nuk kishte pasur kontakt fizik që mund të shkaktonte rënien.
Për këtë arsye, autoritetet po e trajtojnë ngjarjen si një aksident, ndërsa vëmendja e hetimit është përqendruar te gjendja teknike e dritares dhe mënyra se si ishte montuar ajo.
Ekspertët kanë nisur verifikimet për të kuptuar përse struktura u shkëput kaq lehtë, por deri tani nuk është arritur në një përfundim që të përcaktojë nëse bëhet fjalë për defekt teknik, problem në instalim apo ndonjë faktor tjetër.
Tragjedia ka shkaktuar reagime në Brazil, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë e mundshme për aksidentin që i mori jetën nënës 26-vjeçare.
