Shasivari takoi Sveçlën dhe Gërvallën në Budva: Kosova dhe Maqedonia me bashkëpunim të ngushtë për siguri dhe institucione më të forta

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka zhvilluar dy takime bilaterale me përfaqësuesit e Kosovës, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që po mbahet në Budva.
Në takimin me ministrin Sveçla, në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, koordinimi institucional dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona ka rëndësi të veçantë, jo vetëm për shkak të fqinjësisë dhe lidhjeve të ngushta mes qytetarëve tanë, por edhe për përgjegjësinë e përbashkët në garantimin e sigurisë, sundimit të ligjit dhe stabilitetit rajonal”, ka deklaruar Shasivari.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve.
Ndërkaq, në takimin me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e reformave sipas standardeve evropiane.
“Rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit institucional në fushën e drejtësisë, me fokus të veçantë në shkëmbimin e përvojave, forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e reformave në përputhje me standardet evropiane”, ka bërë të ditur Shasivari.
Ai ka vlerësuar se Kosova mbetet partner i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i orientuar drejt rezultateve konkrete, në funksion të institucioneve më efikase dhe drejtësisë që garanton besimin e qytetarëve.









































