Kërcënime të reja për bomba në aeroportet evropiane, alarm në Danimarkë, Çeki dhe Portugali, evakuohen mediat në Irlandë

Autoritetet në Danimarkë, Çeki dhe Portugali po hetojnë kërcënime të reja për bomba ndaj avionëve, një ditë pas valës së kërcënimeve që shkaktuan kaos në dhjetëra fluturime në Evropë. Policia daneze njoftoi se po heton kërcënimet ndaj trafikut ajror në aeroportin e Kopenhagës, ndërsa deri më tani nuk ka të dhëna se pasagjerët janë vënë në rrezik.
Edhe në Republikën Çeke janë regjistruar kërcënime për bomba ndaj avionëve që mbërrijnë dhe nisen nga aeroporti i Pragës. Për shkak të situatës, një fluturim i kompanisë Wizz Air nga Praga drejt Romës u devijua drejt aeroportit të Venecias. Policia bëri të ditur se janë zbatuar të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, me ndikim minimal në funksionimin e aeroportit.
Ndërkohë, në Portugali, një fluturim i Ryanair nga Lisbona drejt Romës u bë objekt i një kërcënimi për bombë, i cili rezultoi alarm i rremë, sipas policisë portugeze. Që nga fillimi i javës, më shumë se 20 kërcënime të rreme për bomba kanë ndërprerë trafikun ajror në Evropë, duke detyruar devijimin e avionëve dhe në disa raste ngritjen e avionëve luftarakë për shoqërimin e mjeteve civile.
Paralelisht, alarmi është përhapur edhe në Irlandë, ku disa redaksi mediatike janë evakuuar pas marrjes së mesazheve kërcënuese me email. Mes institucioneve të prekura janë transmetuesi publik RTÉ në Dublin, gazeta Irish Independent, radiostacionet Newstalk dhe Today FM, si dhe televizioni Virgin Media. Në selinë e RTÉ-së u dislokuan forca policore, përfshirë efektivë të armatosur.
Këto incidente vijnë pas një vale kërcënimesh të rreme që shënjestruan afro 30 fluturime pasagjerësh në vende të ndryshme evropiane, duke shkaktuar ulje emergjente dhe masa të shtuara sigurie. Deri më tani, asnjë person apo grup nuk ka marrë përgjegjësinë për kërcënimet, ndërsa hetimet nga autoritetet përkatëse vijojnë.
/vizionplus.tv




