Maran shpjegon zgjedhjet: Për listën u bazova te forma e lojtarëve, Strakosha jo në 100%

Kombëtarja | 13 minuta më parë

Pasi publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat me Finlandën në “Air Albania” dhe Bjellorusinë në fushë neutrale (Hungari), trajneri Rolando Maran ka shpjeguar zgjedhjet e tij në konferencë shtypi. Italiani pohoi se Balliu është tërhequr nga Kombëtarja dhe se zgjedhjet i ka bërë në bazë të formës që po kalojnë lojtarët aktualisht.

“Për listën jam bazuar te forma dhe minutazhi që kanë pasur lojtarët me skuadrat e tyre, përtej Elsit për arsyet që i dimë. Kur bëj një listë, jam i bindur se është lista e duhur. Nëse mungon ndonjë lojtar, kjo nuk do të thotë se ai nuk është i aftë për ta ndihmuar skuadrën. Në Ligën C jemi në vendin e parë për sa u përket pritshmërive për të shënuar gol dhe në vendin e parë për ekipet që kanë pësuar më pak gola me aksion. Jemi të parët edhe për gjuajtjet drejt portvs.  Dua të drejtoj një skuadër që t’i ketë këto statistika.

Ivan Balliu, ishte një zgjedhje e tij. Prej kohësh ai ka pasur një dëmtim dhe është vendimi i tij për t’u tërhequr nga Kombëtarja. Strakosha nuk është në 100% të formës së tij dhe do të rrezikonim po të nguteshim”, – u shpreh mes të tjerash trajneri i kuqezinjve.

“Presioni është pozitiv dhe duam ta mbyllim mirë këtë grup, në krye. I kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë. Kam dëgjuar djemtë që duan ta arrijnë këtë objektiv me pasion, ndaj presioni është pozitiv dhe të jep mundësinë të bësh maksimumin.

Tucin e kam ndjekur, por në këtë grumbullim jam munduar të konfirmoj lojtarët që më kanë dhënë garanci. Më kanë pëlqyer, prandaj mendoj se është ideale të konfirmoj këtë bllok. Tucin dhe çdo lojtar tjetër po i shoh. Kush rritet është i mirëpritur, sepse ky ekip ka nevojë për lojtarë në formë.

Ka shumë dëshirë për të qenë para tifozëve aq sa mendova që të hënën t’i mbaj dyert hapur për të gjithë në stërvitje. Kush ka dëshirë të jetë në stërvitje, është i mirëpritur. Duam ta nisim me entuziazmin që na japin tifozët, ngrohtësia e tyre është karburanti më i mire.

Asani? Lidhet me diskutimin për Tucin, vlen për të dhe të tjerë. Edhe për Asanin ka vëmendje, por e përsëris se këtë herë desha të kem vazhdimësi për garancitë që më dhanë djemtë, jo se të tjerët janë jashtë projektit.

Kush pranon Shqipërinë, është krenar për ta veshur këtë fanellë. Mendoj se lojtarët që do të zgjedhin, duhet të jenë krenarë që e bëjnë. Lilon e kemi ndjekur, ka bërë dy ndeshje. Ai është padyshim një lojtar, të cilin po e ndjek. Kaprile dhe Gërxhaliu? Në këtë grumbullim nuk i kam marrë në konsideratë. Janë lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme”, – ka thënë më tej Maran.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme