
Këtë të premte, një gjykatë në Beograd pritej të shpallte vendimin në çështjen gjyqësore ndaj një burri që përplasi me makinë Sonja Ponjaviçin, një studente 20-vjeçare, e cila po bllokonte një kryqëzim rrugor gjatë një proteste kundër qeverisë në kryeqytetin serb, në janar të vitit 2025.
Bllokada ishte një nga protestat e shumta të organizuara nga studentët në kujtim të viktimave të aksidentit tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor të vitit 2024. Kjo ngjarje tronditi skenën politike serbe dhe, në fund, çoi në largimin nga pushteti të qeverisë së drejtuar nga Partia Progresive Serbe e Aleksandër Vuçiçit, pas zgjedhjeve të zhvilluara muajin e kaluar.
Megjithatë, shoferi mund të mos marrë dënimin për goditjen e studentes, pasi Vuçiçi e përfshiu atë në listën e personave të falur me një nga vendimet e tij të fundit si president, përpara se të largohej nga posti për të kandiduar për kryeministër në zgjedhje.
Milica Radoviç, avokatja e Ponjaviçit, tha për BIRN se ky proces gjyqësor ishte i vetmi rast aktiv në gjykatë që lidhej me disa prej sulmeve ndaj studentëve pjesëmarrës në protesta. Për këtë arsye, ai përfaqësonte “një lloj simboli të luftës kundër dhunës ndaj studentëve”.
“Ne prisnim që procesi gjyqësor të përfundonte dhe vendimi të mbetej një dëshmi e përhershme, si dhe një paralajmërim se kjo epokë e dhunës së shfrenuar e brutale dhe e frikës duhet të marrë fund.”
“Por procesi u ndërpre nga një vendim kaq i turpshëm dhe shkatërrues, i marrë në rrethana që duhen hetuar”, tha Radoviçi.
Ajo kujtoi se Ponjaviçi kishte pësuar dëmtime të rënda në kafkë kur u godit nga makina.
Pas dhënies së faljes, “nuk pata guximin të flisja me Sonjën atë ditë dhe as të nesërmen. Fola me të atin, i cili, natyrisht, ishte i tërbuar, i hidhëruar dhe i trishtuar”, tha Radoviçi.
Para se të largohej nga detyra muajin e kaluar, për të kandiduar pa sukses për postin e kryeministrit, Vuçiçi u dha falje gjithsej 49 personave.
Mes tyre kishte edhe persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në sulme të dhunshme ndaj protestuesve gjatë gati dy viteve të protestave kundër qeverisë. Një tjetër rast që shkaktoi zemërim në opinionin publik ishte ai i një protestuesi 90-vjeçar, i cili u godit nga një makinë në qendër të Beogradit. Edhe shoferit përgjegjës për këtë ngjarje Vuçiçi i dha falje.
Ekspertët e së drejtës besojnë se këto falje përbëjnë shpërdorim të kompetencave presidenciale dhe, për rrjedhojë, kushtetutshmëria e tyre mund të vihet në pikëpyetje.
“Do të ishte më e arsyeshme që zbatimi i këtyre vendimeve të pezullohej derisa të përcaktohet nëse ato janë të ligjshme”, sugjeroi Radoviçi.
Shfaqja e “neutralitetit” përpara zgjedhjeve

Vuçiçi njoftoi se kishte dhënë falje për disa persona, teksa bëri të ditur se do të largohej nga posti i presidentit përpara zgjedhjeve.
“Në ditën e parafundit të presidencës sime, kam marrë vendime për amnisti dhe falje për 49 persona, 23 prej të cilëve kanë qenë të përfshirë në të gjitha këto ngjarje të tmerrshme që kemi përjetuar gjatë një viti e gjysmë të fundit”, deklaroi Vuçiçi më 27 shtator, duke iu referuar protestave kundër qeverisë.
Ai tha se kishte falur 12 aktivistë nga Novi Sadi, të akuzuar për komplot me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues dhe destabilizimin e shtetit, si dhe persona të tjerë që kishin mbështetur Vuçiçin dhe kundërshtuar të ashtuquajturit “bllokues”, pjesëmarrës në protesta.
“Pavarësisht qëndrimit të shërbimeve të ndryshme të sigurisë së Republikës së Serbisë, kam marrë vendimin të fal 12 persona nga grupi i protestuesve të Novi Sadit, ashtu siç kam vendosur të fal edhe 11 persona të tjerë, të cilët, nga ana tjetër, ishin përfshirë në incidente kundër bllokuesve”, shpjegoi Vuçiçi.
Vladica Iliç, drejtues i ekipit ligjor në Qendrën e Beogradit për të Drejtat e Njeriut, tha për BIRN se Vuçiçi po përpiqej të “shfaqte një lloj neutraliteti dhe paanësie” përpara zgjedhjeve, në të cilat opozita, e përfaqësuar nga Lista Studentore e dalë nga protestat, po përbënte një kërcënim për pushtetin 14-vjeçar të Partisë së tij Progresive Serbe, SNS.
Në të vërtetë, sipas Iliçit, ai po favorizonte kryesisht njerëzit e tij.
“Ai fali grupin e protestuesve nga Novi Sadi, në rastin e të cilëve ishte pothuajse e pamundur të pritej që proceset gjyqësore të përfundonin me ndonjë dënim. Më pas, këtë e përdori si justifikim për të falur persona të caktuar të afërt me të dhe me SNS-në, të cilët kishin kryer shkelje të ndryshme në emër të partisë në pushtet”, tha ai.
Megjithatë, kjo u bë e qartë vetëm pas zgjedhjeve parlamentare, kur lista e plotë e personave të falur u bë publike.
Në të përfshihej edhe Dijana Hrkaloviç, ish-sekretare shteti në Ministrinë e Brendshme, e cila dyshohej për shpërdorim detyre dhe pengim të hetimeve për vrasje. Hrkaloviçi ishte dënuar me një vit e katër muaj burg, por çështja ishte kthyer për rigjykim.
Vuçiçi fali gjithashtu Tomo Stojiçin, ish-drejtues të një fabrike, i cili ishte dënuar me vendim të formës së prerë për vdekjen e dy punëtorëve, si dhe ish-zyrtarë vendorë dhe drejtues të institucioneve e ndërmarrjeve shtetërore, të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Faljet për personat që kishin sulmuar studentët protestues nuk ishin të parat. Në gusht të vitit 2025, Vuçiçi kishte falur gjithashtu një grua të akuzuar se kishte përplasur me makinë disa demonstrues që po bllokonin një rrugë në Beograd. Një muaj më parë, ai kishte falur katër mbështetës të SNS-së, të cilët po ndiqeshin penalisht për sulmin ndaj protestuesve në Novi Sad.
Pak kohë pas nisjes së bllokadave protestuese, ai madje vuri në pikëpyetje nëse personat që përplasnin protestuesit me automjete duhej të ndiqeshin penalisht.
“Dikush thotë se një person i është hedhur mbi kofanon e makinës, sepse shoferi donte të kalonte. Pastaj thonë: ‘Ndoshta duhet ta arrestojmë shoferin’. Si mund të arrestosh një njeri që nuk ka shkelur ligjin? Ai thjesht po vazhdonte rrugën e tij”, deklaroi Vuçiçi.
Vihet në pikëpyetje ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e faljeve

Iliçi vuri në pikëpyetje nëse vendimet e Vuçiçit për dhënien e faljeve ishin të ligjshme apo përbënin shpërdorim të kompetencave presidenciale.
“Presidenti ka të drejtë të japë falje dhe arsyet për të cilat e ushtron këtë të drejtë mund të jenë të ndryshme. Kjo është një kompetencë diskrecionale e presidentit, por kjo nuk do të thotë se ai mund të japë falje për çfarëdo arsyeje”, tha Iliçi.
“Arsyet nuk mund të jenë: ‘Tani do të mbroj aktivistët e partisë sime’ ose ‘Tani do të pengoj prokurorinë dhe gjykatat të përcaktojnë përgjegjësinë e disa personave që janë të afërt me mua’”, u shpreh ai.
Ai shtoi se arsyet për dhënien e faljes duhet të mbështeten në “rrethana të jashtëzakonshme”, siç janë sëmundjet e rënda ose arsyet e forta humanitare. Iliçi dhe Radoviçi ranë dakord se praktika juridike ndërkombëtare nuk e konsideron të përshtatshme dhënien e faljeve për vepra të rënda dhune.
“Praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përcakton shprehimisht se për vepra të tilla penale kundër jetës së njeriut, që përmbajnë elemente të rënda dhune, nuk duhet të jepen kurrë falje”, tha Radoviçi.
Ajo sugjeroi se një nga hapat e ardhshëm për të kundërshtuar këto falje mund të jetë paraqitja e një ankese në Gjykatën Kushtetuese, e cila mund të shqyrtojë nëse vendimet e Vuçiçit janë në përputhje me Kushtetutën.
“Gjykata Kushtetuese mund të pezullojë zbatimin e një akti individual ose të vendosë një masë të përkohshme. Çështja është nëse Gjykata Kushtetuese do ta bëjë realisht këtë, duke pasur parasysh se e kemi parë disa herë se si është shprehur ajo për disa nga çështjet më kritike të shtetit”, tha ajo.
Komisioni Hetimor, një organ i pavarur ekspertësh i ngritur nga profesionistë për të hetuar katastrofën në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, ka deklaruar se do t’i propozojë Prokurorit të Lartë të Shtetit të ngrejë padi në Gjykatën Administrative, me qëllim anulimin e faljeve.
Në këtë rast, Gjykata Administrative mund të shqyrtojë shkeljet procedurale dhe ligjore në procesin e marrjes së vendimeve për faljet. Konkretisht, ajo mund të verifikojë nëse vendimet janë marrë me rekomandimin e kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, gjykatat përkatëse dhe prokuroritë.
Radoviçi beson se kjo rrugë për të vënë në shqyrtim ligjshmërinë e faljeve mund të jetë edhe më efikase sesa pritja e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, në rastin e Sonja Ponjaviçit, studentes që u përplas nga një shofer gjatë protestës, sfidimi ligjor i vendimit të faljes ka nisur tashmë.
Këtë javë, Prokuroria e Lartë Publike paraqiti ankimim kundër vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd për shfuqizimin e masës së paraburgimit ndaj Marko Pavloviçit, i cili akuzohet se përplasi me makinë studenten.
Daniloviçi i tha agjencisë së lajmeve Fonet të enjten se kishte paraqitur ankimimin me qëllim sqarimin e çështjeve të diskutueshme që lidhen me faljen. Pavloviçi ndodhej në paraburgim që prej janarit të vitit 2025, por Gjykata e Lartë vendosi ta lironte nga paraburgimi pasi u bë e ditur se ai ishte mes personave të falur nga Vuçiçi. Ai i mohon akuzat.
Ndërsa polemikat lidhur me veprimet e fundit të Vuçiçit në detyrë vijojnë të shkaktojnë reagime në Serbi, Ministria e Drejtësisë ka përsëritur se presidenti ka “kompetencë të shprehur qartë në Kushtetutë” për të dhënë falje, “përfshirë edhe përjashtimin nga ndjekja penale”, thuhet në deklaratën e ministrisë të publikuar të enjten.






