Ardit Gjebrea del pas 2 orë e gjysmë nga SPAK
Producenti dhe kantautori Ardit Gjebrea ka përfunduar dëshminë e tij në Prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje për më shumë se dy orë e gjysmë në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Gjebrea u paraqit në ambientet e SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me financimet që kompania e tij, “Jon Music”, ka përfituar nga Bashkia e Tiranës për organizimin e festivalit muzikor “Kënga Magjike”. Pas përfundimit të marrjes në pyetje, ai është larguar nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, hetuesit janë interesuar veçanërisht për pagesat e kryera nga Bashkia e Tiranës në favor të kompanisë së producentit, gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga Erion Veliaj.
Të dhënat e platformës “Open Spending Data”, ku pasqyrohen transaksionet financiare të realizuara përmes sistemit të Thesarit, tregojnë se “Jon Music” ka përfituar gjithsej gjashtë pagesa nga Bashkia e Tiranës gjatë kohës së drejtimit të saj nga Veliaj.
Pikërisht këto transaksione dhe rrethanat në të cilat janë kryer financimet kanë qenë në qendër të interesit të prokurorëve gjatë pyetjes së Gjebreas.
Paraqitja e producentit në SPAK është pjesë e zhvillimeve hetimore që lidhen me dosjen Veliaj, ku organi i akuzës po verifikon edhe marrëdhëniet financiare mes Bashkisë së Tiranës dhe subjekteve private që kanë përfituar fonde nga institucioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



