Pse SPAK fal Gjebrean për milionat e kokainës BANAKING së Trifonit dhe jo për tenderat e Lalit

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 06.11.2026, 13:23

Nëse ke përfituar fondet e Bashkisë së Tiranës, atëherë SPAK-u të thërret në seancë për t’ia shpjeguar popullit se ku shkuan faturat e "Kënga Magjike", ama të kesh patur punë fuqishëm me tonelatat e kokainës në kontejnerët e bananeve, mjafton një buzëqeshje televizive dhe ia hodhe burgut.

Në qendër të këtij kontrasti absurd qëndron Ardit Gjebrea, njeriu që dikur promovonte “pyllin orbital” me një lopatë në dorë për show televiziv me vetë protagonistin, e sot e shohim të renditur në lupën e hetimeve për kontratat sponsorizuese me Bashkinë e Tiranës.

Tenderat mbi 300 milionat lekë të Bashkisë VS milionat e frikshme të reklamave të kontejnerëve të kokainës “Bana King” të Trifon Muratajt të cilat kanë kaluar me lekë cash nga Frangaj tek Gjebrea...

Pagesat për festivalin “Kënga Magjike” ndër vite janë vënë tashmë nën mikroskopin e verifikimeve.

Por këtu lind pyetja pse SPAK u dashurua kaq fort me faturat e bashkisë, ndërsa fshiu nga memoria institucionale lidhjet e Gjebreas dhe përfitimet e “BanaKing” të Trifon Muratajt, të cilit iu gjet dy herë kokainë në kontejnerët me banane teksa në TV KLAN kërciste kafshimi i bananes nga vetë prezantuesi e këdo të kishte të ftuar.

Kur në Portin e Durrësit zbarkonin rregullisht kontejnerë me kokainë të fshehur mes bananeve të kompanisë në fjalë, fytyra e njohur e ekranit shfaqej në fushatat publicitare duke u dhënë ëmbëlsi dhe dritë jeshile konsumatorëve të hanin bananet e Trifonit.

Kompania u bë kryefjala e operacioneve ndërkombëtare të antidrogës dhe e lajmeve tronditëse që pushtuan rrjetin, ndërsa imazhi që kishte shërbyer si fasadë komerciale kaloi pa u lagur nga “dushi” i drejtësisë. Ironia therëse e këtij hetimi shigjeton standardet e dyfishta të drejtësisë së re.

KUSH ËSHTË TRIFON MURATAJ

Trifon Murataj, biznesmeni nga Mallakastra i njohur si mbreti i kokainës në banane është pronari i kompanisë “Zico sh.a”, e cila tregton banane në tregun shqiptar nën markën e njohur “Bana King”. Ai e ka nisur aktivitetin e tij në fushën e importit të bananeve që nga viti 1991, duke ndërtuar një perandori tregtare që sot është kthyer në qendër të skandaleve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në vend.

Pavarësisht se mbrohet me tezën se kompania e tij është "viktimë" e rrjeteve kriminale ndërkombëtare që abuzojnë me kontejnerët e ligjshëm, faktet flasin për një seri të gjatë ngarkesash të kapura. Gjatë viteve 2021–2024, në kontejnerët e “Bana King” janë kapur në total rreth 2 tonë kokainë (përfshirë ngarkesën e parë prej 119 kg pesë vjet më parë, dhe 33.5 kg kokainë të fshehura në arkat e bananeve në nëntor 2022 në Portin e Durrësit).

Më 23 qershor 2026, gjyqtari i Durrësit, Rexhep Bekteshi, dha vendimin final (të marrë formën e prerë pa u anuluar/apeluar nga prokuroria) duke pastruar plotësisht nga akuzat Trifon Murataj, administratorin Petrit Demishaj dhe subjektin juridik. Jo vetëm kaq, por gjykata i ktheu menjëherë Muratajt edhe garancinë pasurore prej 30 milionë lekësh.

Megjithëse Trifon Murataj rezultonte prej afro dy vitesh në kërkim për një tjetër dosje droge dhe shkelje në punë, ai u shfaq i lirë në sallën e gjyqit. Fakti që Prokuroria e Durrësit zgjodhi të mos e apelojë vendimin e pafajësisë ka ngritur dyshime të forta për mbrojtje institucionale.

Pavarësisht sinjalizimeve të vazhdueshme nga agjencitë ndërkombëtare si DEA dhe EUROPOL për rrezikun e kontaminimit të linjave të tij nga Ekuadori, burimet dhe raportet investigative tregojnë se kontejnerët e “Bana King” në Durrës prej vitesh kalojnë shpesh pa u skanuar apo pa u kontrolluar fizikisht siç duhet.

Për opinionin publik dhe raportet kritike, rasti i Trifon Muratajt mbetet dëshmia më e qartë se si rrjetet e fuqishme ekonomike dhe lidhjet e dyshimta brenda sistemit të drejtësisë mbrojnë individë ndaj të cilëve rëndojnë akuza për tonelata droge, duke e lënë shtetin formalisht të pafuqishëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit